
Përballja e sotme në ‘’ Municipal de Montilvi ‘’ në orën 21.00 do të jetë ajo hapësja e javës së 13-të të Primera Division.
Girona do të presë Athletic Bilbaon me shpresën se mund të bëjë mirë pas atij barazimi në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ kundër Real Madridit.
Të besuarit e Michel Sanchez janë afër zonës së ftohtë ndërsa për vaskët historia është krejtësisht ndryshe .
Nxënësit e Ernesto Valverdes momentalisht renditen të 6-tët në tabelë dhe do të kërkojnë një rezultat pozitiv në këtë transfertë të vështirë pas një fitoreje tejet të rëndësishme në ‘’ San Mames ‘’ kundër Villarealit .
E shtuna si gjithmonë do të jetë më intensive, ditë në të cilën janë parashikuar të luhen katër sfida.
Në orën 14.00 zbresin në ‘’ Coliseum Alfonso Perez ‘’ Getafe dhe Cadiz.
Madrilenët surprizuan Elchen në javën e kaluar duke fituar 0-1 dhe kanë konsoliduar disi pozicionin në tabelë , ndërsa ‘’ Nëndetësja e Verdhë ‘’ do të tentojë shkëputjen nga zona e ftohtë e klasifikimit pas fitorës së javës së kaluar në shtëpi kundër Atletico Madridit.
Sigurisht këto tre pikë i kanë shërbyer për t’ia rritur besimin , ndërsa Getafe do të kërkojë të njëjtën gjë në këtë sfidë e cila parashikohet e luftuar deri në sekondën e fundit.
Ora 16.15 do ti lërë vendin Valladolid vs Elche.
Pas humbjes në Pamplona , ‘’ Vjollcët ‘’ do të shfrytëzojnë faktorin fushë për të rikuperuar menjëherë terrenin e humbur , ndërsa Elche është e fundit në tabelë dhe nuk i mbetet gjë tjetër veçse një rezultat pozitiv për të evituar përkeqësimin e situatës.
‘’ Los Pucelanos ‘’ momentalisht gëzojnë një lloj komoditeti në klasifikim, ndërsa nxënësit e argjentinasit Jorge Almiron janë në një moment kritik dhe iu nevojitet të dalin me shpejtësi nga gropa ku kanë rënë.
Celta Vigo vs Osasuna e orës 18.30 do të jetë një përballje tjetër shumë interesante .
Në ‘’ Balaidos ‘’ nxënësit e Cacho Coudet gjithmonë janë konsideruar një ekip shumë i vështirë por miqtë po përjetojnë një moment shumë pozitiv dhe janë afër Europës .
Humbja në Almeria ishte një leksion për zotët e shtëpisë , ndërsa miqtë e Jagoba Arrasates bënë detyrën në ‘’ El Sadar ‘’ duke mundur pa shumë probleme Valladolidin .
E shtuna do të përfundojë në magjikun ‘’ Camp Nou ‘’ , aty ku Barcelona pret modestët e Almerias .
Ekipi i Xavi Hernandezit fatkeqësisht u eleminua nga Champions League dhe do të provojë veten në Europa League , kompeticion që shërben si ngushëllim për katalanasit .
Kjo disfatë do të jetë një njollë në historinë e gjatë të suksesit por në futboll histori të tilla janë mëse normale dhe me rëndësi është e ardhmja.
Historia ndryshon kur bëhet fjalë për Primera Division sepse ‘’ Los Cules ‘’ janë vetëm një pikë larg Real Madridit dhe lufta mbetet e hapur deri në fund.
Ndërsa për Almerian s’mund të thuhet shumë sepse do ta ketë shumë të vështirë kundër kuq e bluve pavarësisht se vinë pas fitores kundër Celta Vigos në javën e kaluar me shifrat 3-1.
Ndeshja hapëse e të dielës do t’ia lërë vendin një tjetër ekipi të eleminuar në Champions League.
Atletico Madridi i Cholo Simeones nuk mundi të kalojë grupin dhe tanimë i ka përqëndruar forcat tek kampionati .
‘’ Los Colchoneros ‘’ presin Espanyolin , skuadër e cila renditet në një pozicion aspak të favorshëm dhe vjen pas dy barazimeve , respektivisht kundër Elches në shtëpi dhe Mallorcas në transfertë, ndërsa kryeqytetasit mundën Real Betisin në ‘’ Benito Villamarin ‘’ dhe humbën në transfertë kundër Cadizit.
Sigurisht për Atleticon marrja e tre pikëve konsiderohet një domosdoshmëri dhe faktori fushë konsiderohet një plus për ta arritur objektivin.
Pas tyre zbret në fushën e ‘’ Reale Arenas ‘’ Real Sociedadi që do të masë forcat me Valencian e Gennaro Gatussos .
‘’ Los Txiuriurdines ‘’ impresionuan në fazën e grupeve të Europa Leagues duke e përfunduar të parët , pavarësisht se ndeshjen e djeshme në shtëpi e humbën kundër Manchester United.
Imanol Alguacil ka bërë një punë për tu duartrokitur me bardheblutë, të cilët kanë treguar dhëmbët edhe në kampionat dhe renditen në një pozicion që i dërgon në Europë momentalisht, ndërsa bardhezinjtë nuk kanë patur vazhdimësi në aspektin e rezultateve por me italianin në stol do të luftojnë deri në fund për të siguruar një biletë për në kompeticionet më të rëndësishëm të kontinentit të vjetër.
Humbja në shtëpi kundër Real Betisit ishte një goditje por gjithashtu edhe Valencia nuk mundi të bëjë shumë në ‘’ Mestalla ‘’ dhe u mposht nga Barcelona.
Në 18.30 është parashikuar të zhvillohet Villareal vs Mallorca. ‘’ Nëndetësja e Verdhë ‘’ nuk mundi ta finalizojë fazën e grupeve në mënyrë perfekte dhe e humbi ndeshjen e fundit në Poloni kundër Lech Poznan.
Megjithatë, nxënësit e Quique Setien ishin të kualifikuar dhe në ‘’ La Ceramica ‘’ do të kenë shansin për të vijuar serinë e rezultateve pozitive, ndërsa ishulloret vinë pas barazimit në shtëpi kundër Espanyolit por qartësisht ekipi nga Castellon është favorit në këtë sfidë .
E diela mbyllet me derbin e Andaluzisë Real Betis vs Sevilla. ‘’ Los Verdiblancos ‘’ gëzojnë një superioritet për sa i përket klasifikimit dhe gjithashtu kanë arritur ta finalizojnë fazën e grupeve në Europa League si fituesit e grupit C.
Ndërsa Sevilla e Jorge Sampaolit si pak herë më parë është e parafundit në La Liga por do të ketë edhe një shans për të treguar vlerat në Europa League .
Si gjithmonë derbit kanë rezultuar shumë të vështirë dhe në ‘’ Benito Villamarin ‘’ do të jetë një sfidë shumë emocionuese .
‘’ Galaktikët ‘’ e Real Madridit dhe njëkohësisht dominuesit e La Ligas deri në këto momente do të finalizojnë javën e 13-të të hënën në mbrëmje , në transfertën e Rayo Vallecanos.
Sigurisht skuadra e Carlo Ancelottit është favorite për ta fituar këtë takim dhe të vijojë me dominimin në La Liga pa anashkaluar vëmëndjen nga Champions League , kompeticion ku ka prerë pas shumë probleme biletën për në fazën me eleminim direkt.
Ndërsa pritësit momentalisht renditen në një pozicion komod në tabelë , tre pikë larg Europës por nuk besohet se do të ketë surpriza sepse ‘’ Los Blancos ‘’ janë në një moment spektakolar , i reflektuar në çdo ndeshje të luajtur .
Duhet theksuar se Barcelona është vetëm një pikë larg dhe fitorja konsiderohet e domosdoshme për kampionët në fuqi të La Ligas dhe Champions Leagues.



