Mbrojtësi i Shqipërisë, Marash Kumbulla, ka mbyllur sezonin, pas dëmtimit të rëndë të pësuar në ndeshjen me Milanin.
Lojtari i Romës, ka dëmtuar ligamentet e kryqëzuara të gjurit të majtë dhe ka humbur dy takimet e muajit qershor: Shqipëri-Moldavi dhe Ishujt Faroe-Shqipëri.
Në një postim të bërë së fundmi, 23-vjeccari shkruan se sezoni u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme, por shton se do të rikthehet më i fortë.
Sezoni nuk shkoi siç do të kisha dashur dhe u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme. Jam shumë i zhgënjyer, do të më duhet kohë për t’u shëruar. Do ta shfrytëzoj këtë kohë për t’u rikthyer edhe më i fortë dhe për të ndryshuar gjërat, ju siguroj. Faleminderit të gjithëve për mesazhet.
Dëmtimi duket shumë i rëndë dhe do e mbajë jashtë fushave për disa muaj, ndërsa rrezikon të mungojë edhe për ndeshjet e muajit shtator.



