
Ish-trajneri i Tiranës, Nevil Dede, i ftuar në emisionin “Skaner” në MCNTV, ka thënë se merita për arritjen e Teutës, që fitoi titullin kampion, është e trajnerit Edi Martini. Dede ka thënë se Teuta vuajti më shumë se të tjerët dhe në fund ia doli të fitojë kampionatin.
“Duhet t’i japim komplimente fituesit. Si futbollist kam fituar shumë trofe dhe gëzimi është shumë i madh. Martini dhe Teuta e meritonin mendoj. Teuta vuajti më shumë se të tjerët. Barazoi më shumë se të tjerët dhe në fund dolën kampionë. Nëse nuk do e kishin një barazim, atëherë nuk do ishin kampionë. Edhe Starova meriton komplimentet e tij. Martini ka meritën e tij më të madhe. E kam thënë që Martini te Teuta do vazhdojë gjatë dhe kështu doli, madje fitoi titullin. Bregu ishte lojtar i rëndësishëm. Aleksi ka qenë çelësi i kësaj skuadre në mbrojtje. Lorenco Vila është i ri. Emiljano Vila dhe Asion Daja gjithashtu të rëndësishëm. Këta janë pikat kyçe të Teutës”, u shpreh Dede.



