
Përballja mes Serbisë dhe Zvicrës, në Botërorin e 2018, shkaktoi polemika të mëdha, dhe kjo jo për shkak të ndeshjes, por për shkak të festimeve nga dy lojtarët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
Këta të fundit pasi shënuan, festuan me shqiponjë, duke “tërbuar” serbët, që pas asaj sfide, kërkuan dënimin e dy lojtarëve.
Zvicra dhe Serbia, do të përballen mes tyre edhe në këtë Botëror, që do të mbahet në Katar dhe për të shmangur polemikat, te kombëtarja helvete, kanë kërkuar nga lojtarët që të mos festojnë me shqiponjë, apo diçka tjetër që mund të quhet si provokim.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, i cili në një intervistë është shprehur se lojtarët nuk duhet të bëjnë të njëjtat gabime.
Botërori nuk përbëhet vetëm nga ndeshja me Serbinë, edhe nëse e dimë se sa e veçantë është kjo ndeshje, duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitin 2018. Ne nuk duam të bëjmë të njëjtat gabime, ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër.
Ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh politik apo fetar. Ne duam të përfaqësojmë vlerat tona. Njëra prej tyre është respekti. Ne tregojmë respekt për opinionet e tjera. Për mua do të ishte gabim nëse do të provokonim dikë me një gjest, pavarësisht lojës.



