
Sulmuesi i Kombëtares Sokol Cikalleshi, foli për mediat, pas grumbullimit në prag të ndeshjes me Çekinë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit.
Cikalleshi tha se ky është një nga grumbullimet më të rëndësishme të viteve të fundit, për shkak të rëndësisë së ndeshjes dhe objektivave të kombëtares.
Mendoj se ky grumbullim është ndër grumbullimet më të rëndësishme të Kombëtares gjatë gjithë këtyre viteve. Janë dy ndeshje që duhet të jemi shumë të fokusuar dhe angazhimi duhet të jetë maksimal. Për mua është kënaqësi e dyfishtë sepse e kam përjetuar një Europian dhe nëse do të përjetoj për herë të dytë, karriera me Kombëtaren do të kishte një kuptim tjetër. Shpresoj që si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë që e kanë arritur në 2016, të mundohemi të bëjmë diçka më shumë jashtë fushe për të dhënë mesazhin e duhur te grupi, që fokusimi dhe dhe angazhim të jetë maksimal.
Jemi në fillim sezoni dhe të gjithë sulmuesit e kanë nisur mirë me gola. Kemi bërë detyrën dhe kemi marrë benefitet e asaj pune që kemi bërë gjatë fazave përgatitore. Për të pasur sukses duhet të funksionojnë të gjitha repartet dhe besoj që me përgatitjet që do bëjmë këto ditë, do bëjmë maksimumin që edhe në fushën e lojës në këto dy ndeshje, si sulmuesit, por edhe lojtarët e reparteve të tjera të japin maksimumin për të arritur fitoren dhe rezultatet pozitive në këto dy ndeshje. Vetëm duke dhënë 100% tonë, besoj se mund të arrijmë ato rezultate.
Këto dy ndeshje, janë deçizive. Më e mira do të ishte të shënonim sa më shumë dhe të merrnim tre pikët dhe të ktheheshim të gjithë të gëzuar. Por nuk është kaq e lehtë sepse Çekia është një ekip shumë i mirë, që ka eksperiencë në Europë. Nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë arsye angazhimi duhet të jetë maksimal. Në grumbullimin që kaloi, ne thjesht bëmë detyrat e shtëpisë. Ishin dy ekipe nën nivelin tonë, por nuk duhet të kënaqemi nga kjo arritje. Kjo është java që do të dalin burrat në shesh, duke nisur nga ne në fushën e lojës. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj dhe të tifozëve. Si një trup i vetëm, ia dalim të plotësojmë ëndrrën që ne kemi. Të kualifikohemi në Europian. Mendoj se do të vuajmë shumë për të marrë rezultat pozitiv. Por jemi gati për këto dy sfida. Jemi në një moment të mirë. Fusha e lojës do ta tregojë. Angazhimi dhe shpirti në fushë nga ana jonë do të jetë maksimal, jua siguroj.
Sulmuesi deklaroi se ndaj Çekisë do të luhet për fitore dhe për tu arritur kjo, skuadra duhet të luajë si një trup i vetëm.
Goli që i kam shënuar Çekisë është një nga golat më të bukur të karrierës. Të përsëris diçka të tillë, do të ishte kënaqësi për mua. Ishte thjesht një miqësore. Nuk duhet të mbetem tek e shkuara. I kam shënuar edhe Çekisë, edhe Polonisë. Por Çekia ishte miqësore dhe goli ndaj Polonisë nuk kishte vlerë sepse u mundëm. Do preferoja, nëse unë apo dikush tjetër të shënojë gjysmë goli dhe të merrnim tre pikët, do ishte shumë me vlerë.
Nuk jemi Kombëtare që e arrijmë Botërorin çdo 2-4 vite. Tashmë kemi mundësinë të realizojmë një ëndërr për ne, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ky është frymëzimi më i mirë. kemi arritur vetëm njëherë, kemi mundësi ta bëjmë sërish. Këto dy ndeshje janë më të rëndësishmet. Nuk dua të flas vetëm për ëndrrën për t’u kualifikuar. Mund të hapë punë ndeshja që është me Ishujt Faroe apo Moldavinë më vonë. Por duke qenë se ne kemi një objektiv të qartë, që ne duhet të kualifikohemi, atëherë ne duhet të nisim që nga ndeshja me Çekinë dhe të harrojmë ndeshjet e tjera. Në ndeshjen me Çekinë duhet të futemi për të marrë rezultatin maksimal, për të marrë 3 pikët. Nëse nuk e arrijmë atë gjë, atëherë, duhet të mos dalim të humbur.



