
Sekretari i përgjithshëm në Federatën Shqiptare ët Futbollit, Ilir Shulku, e quajti vitin 2022, impenjativ me shumë ngarkesa dhe probleme.
Në “SportZone” në MCN TV, Shulku u ndal te problemet e zgjedhjeve në FSHF, ku tha se persona të jashtëm donin ta përbaltin futbollin, por nuk ia dolën.
Duke folur për finalen e Conference League në Tiranë, Shulku tha se pa prezencën e presidentit Armand Duka në UEFA, do ishte e pamundur që ajo të zhvillohej në shqipëri.
Ishte një vit impenjativ, me shumë ngarkesa, një vit me probleme, por për futbollin ishte një vit me rezultate pozitive. Kemi kaluar një vit zgjedhor me probleme të mëdha, por me disa njerëz që u munduan ta përbaltin futbollin, por futbolli tregoi se kur jemi të bashkuar, dimë të ecim përpara. Finalja e Conference League, një nisëm shumë e madhe, e filluar vite më përpara, deri sa ia dolëm ta marrim. Një finale mbresëlënëse, kemi marrë një feedback shumë pozitiv. Ne do tentojmë për të marrë finale të tjera. Pa prezencën e Dukës në UEFA, do të ishte e pamundur që ajo finale të merrej në Shqipëri. Punuam të gjithë bashkë për ta marrë atë finale në Shqipëri.
Shulku foli edhe për terrenet sportive, ku tha se janë bërë shumë investime dhe ka plan për të tjera në të gjithë Shqipërinë.
Gjatë këtij viti kemi bërë shumë investime edhe në infrastrukturë. Kompleksi Partizani, Lushnja, stadiumi i Kukësit. Luzi, stadiumi i Vorës, edhe me radhë se janë shumë. Gjatë gjithë vtit kanë vazhduar sipas planeve investimet dhe do të vazhdojnë akoma. Do ketë edhe në 2023, është në planet e Federatës për infrastrukturën. Duke parë që klubet nuk kanë financa të mjaftueshme për infrastrukturën, mirë do ishte që të ndërhynin edhe bashkitë apo edhe qeveria. E dimë që ka pasur shumë fusha futbolli, shumë prej tyre janë prishur. Patjetër duhet mbështetja e qeverisë, por kryesisht e bashkive. Terrene ka shumë. Në Tiranë ka fusha futbolli, të cilat janë të rrënuara, por nuk kanë pronësinë. Do ishte mirë që këto të kalonin në pronësinë e klubeve apo edhe të akademive. Të bëhen terrene pozitive, për të rinjtë. Në Lushnjë janë bërë tre fusha futbolli. I gjithë komuniteti aty kanë ku stërviten.



