
Shqipëria U-18, luajti ditën e sotme një miqësore me Malin e Zi, në Shkodër. Një test mjaft pozitiv për kuqezinjtë e drejtuar nga Ardi Behari, që fituan 2-0.
Golat e fitores u shënuan nga Erald Krasniqi dhe Zylyf Muça, ndërkohë që në këtë sfidë u aktivizuan thuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Ndeshja nis e balancuar me kuqezinjtë që janë më kërkues, teksa qarkullojnë e kontrollojnë mirë topin. Djemtë e drejtuar nga Ardi Behari krijojnë disa raste, por i mungon finalizimi në pjesën e parë të takimit. Në fraksionin e dytë të lojës, kuqezinjtë gjejnë dy gola brenda tre minutave, fillimisht me një penallti të fituar nga Orgito Ruçi e që ekzekutohet saktë nga Erald Krasniqi, i cili zhbllokon kështu rezultatin për ekipin kuqezi. Në minutën e 70-të, Zylyf Muça dyfishon shifrat për Shqipërinë, pas një goditje të bukur brenda zone, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Kuqezinjtë arrijnë të ruajnë rezultatin deri në fundin e takimit, duke fituar kështu ndeshjen e parë. Një provë mjaft e mirë për Shqipërinë U-18, që të enjten do të zhvillojë miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi U-18. Këtë herë ndeshja do të luhet në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë në ora 13:00.



