Lionel Messi është prezantuar ditën e sotme, si lojtari më i ri i Paris Saint-Germain. Në fjalët e para si futbollist i parsienëve, argjentinasi tha se largimi nga Barcelona ishte i vështirë, por shtoi më tej se është shumë i lumtur që kaloi te francezët. 34-vjeçari u shpreh se te PSG, është transferuar me dëshirën e madhe për të fituar, duke e quajtur klubin e ri, si një skuadër me ambicie.
“Dua të them se jam shumë i lumtur. Largimi nga Barcelona ishte shumë i vështirë, por jam shumë i lumtur që bashkohem me PSG, një klub me ambicie dhe me një ekip të nivelit të lartë, ku luajnë lojtarët më të mirë. Negociatat ishin shumë të shpejta dhe serioze, menjëherë pas deklaratës së Barcelonës të enjten e kaluar.
Kam ardhur këtu me dëshirën për të fituar. Po shijoj gjithçka për momentin dhe mezi prej të stërvitem, të takoj shokët e rinj të skuadrës, trajnerin dhe të nis këtë fazë të re në karrierën time. Faleminderit klubit për mënyrën se si më ka pritur. Shpresoj të vazhdoj të fitoj në këtë klub, që ka shumë ambicie. E di që të gjithë do të japin maksimumin për të fituar. Qëllimi im është të rritem, të fitoj tituj dhe shpresoj të kemi sukses së bashku. Falënderoj edhe njerëzit këtu, pasi pritja nga ata në qytet ishte befasuese. Jam i sigurt se së bashku do të luftojmë për të arritur objektivat që ka vënë klubi.”
Nuk mund të mos fliste për Mbappe dhe Neymar, me të cilët do të ndajë sulmin te PSG. “Pleshti” për këtë tha se ekipi ka lojtarë të mëdhenj.
“Neymar e Mbappe në ekip? Do të jetë mirë të jesh në gjendje të jesh çdo ditë me këtë ekip, që ka me të vërtetë lojtarë të mëdhenj. Ka pasur shumë afrime dhe kishte po ashtu lojtarë cilësorë më parë. Kështu që do të luaj me më të mirët dhe kjo është e mrekullueshme. Nuk e di kur do debutoj, por vij nga një periudhë pushimesh. Gjithsesi nuk e kam ndalur në asnjë moment stërvitjen. Do të flas me stafin teknik, por sigurisht që më duhet pak stërvitje në fillim. Mezi pres të filloj stërvitjen dhe shpresoj të jem gati sa më shpejt, pasi me të vërtetë e dua diçka e tillë”.
Duke folur për largimin nga Barcelona dhe kalimin te PSG, sulmuesi tha se nuk mund të lërë pas gjithçka që ka përjetuar, por shton se është mirënjohës për pritjen që i bënë në Paris.
“Ndryshimi i skuadrës? Gjithçka ka ndodhur javën e kaluar ishte e vështirë nga ana emocionale. Para se të largohesha nga Barça, u thashë tifozëve: 'Unë gjithmonë do të jem mirënjohës për dashurinë e treguar. Është shtëpia ime. Kam përjetuar shumë që nga fëmijëria ime.' Ata e dinin që unë do të shkoja në një ekip konkurrues sepse jam fitues. Të shohim nëse takohemi përsëri me Barçën. Nuk dua të lë pas gjithçka që kam përjetuar, por jam i kënaqur për këtë fazë të re që po nis, si nga pikëpamja sportive, ashtu edhe nga ana familjare. Duhet të jem gati sa më shpejt për PSG-në. Jam me të vërtetë shumë mirënjohës për gjithë këta njerëz që më mirëpritën në një mënyrë të çmendur. Jam i sigurt që do të kemi një vit të jashtëzakonshëm dhe shpresoj që tifozët të përfitojnë nga ardhja ime këtu”.
Ëndrra e madhe te PSG është fitimi i Champions League, të cilës i kanë shkuar afër, por nuk ia kanë dalë të triumfojnë. Për këtë Messi, tha se është e vështirë të marrësh trofeun, ndonëse mund të kesh ekipin më të mirë, pasi sipas tij, në futboll vendosin detajet e vogla.
“Nuk është e lehtë të fitosh Champions League, ndonjëherë mund të kesh ekipin më të mirë dhe në fund nuk e fiton sepse futbollin e vendosin detaje të vogla. PSG iu afrua shumë fitores së këtij trofeu dhe nuk e fitoi, edhe pse kishte ekip të fortë. Është një kompeticion ku luajnë më të mirë dhe është me të vërtetë është e vështirë të fitosh. Duhet të jemi grup i bashkuar. Nga jashtë mund të shoh dhe të them që keni nevojë për pak fat, që gjithmonë duhet në futboll. Ka ndodhur në të shkuarën që ekipet më të mira nuk mundën ta fitonin Champions League dhe kjo është ajo që e bën këtë kompeticion të madh dhe të veçantë.”, përfundoi Messi.



