Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka folur në konferencë për shtyp, një ditë para ndeshjes që skuadra e tij do të luajë me Egnatian. Tekniku italian tha se pret një ndeshje të komplikuar.
I pyetur nëse është i shqetësuar nga zërat për shkarkim, Kolela deklaroi se nuk ndien aspak presion nga kjo.
Nëse përjashtojmë tre ndeshjet e fundit sidomos atë ndaj Teutës ku nuk kemi qenë lartësinë e duhur, mund të bënim më mirë. Në fazën e dytë janë pak pikë dhe mesatarja u shkatërrua pak nga tre ndeshjet e fundit. Ky është moment ndryshimi dhe duhet ta menaxhojmë.
Zakonisht kur një skuadër ndryshon trajner ka një motivim të ri. Gjithsesi pres një ndeshje të komplikuar, pasi edhe kampionati është shumë i ekuilibruar.
Matondo është bashkuar vonë me skuadrën pas festave të fundvitit. Janë gjëra të cilat nuk i falen profesionistëve. E di që ju nuk jeni mësuar me këto, ndaj ai do të qëndroj aty deri kur unë të vendos që të luaj përsëri. Kaq.
Në ndeshjen e fundit sipas meje reparti i mbrojtjes ka punuar mirë. Fitorja e Teutës nuk mund të diskutohet pasi e merituan, por nuk mendoj se na vunë në vështirësi dhe mbrojtja ka punuar mirë ndaj nuk më shqetëson largimi Bitrit. Ai është një lojtar i mirë sikurse edhe Skuka. Shpresojmë që të kenë një karrierë të madhe përpara, por ne kemi lojtar të cilët sipas meje mund të bëjnë shumë mirë.
Kam 33 vite që e bëj këtë punë dhe nëse do të vuaja presionin duhet të ndryshoja punë. Nuk më intereson asgjë. Unë kam kohën time, futbolli ka kohën e vet të menaxhojmë kohët. Është e drejtë që klubi të marrë vendimet. Absolutisht çdo klub ka gjithë të drejtën të marrë vendime për trajnerët. Ndaj këtë presion nuk e ndiej mbi supe, është një presion normal për një trajner. Kjo punë nuk mund të bëhet pa presion. Sikurse është e vërtet që disa momente kërkojnë pak qetësi më shumë edhe nga ana ime.



