Mbrojtësi i Partizanit, Egzon Belica ka folur para mediave, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë ndaj Skënderbeut ditën e shtunë. Belica ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, ndërsa duke folur për objektivat, tha se skuadra nuk është ende aty ku duhet të ishte, por shtoi se ka ende shumë pikë në lojë.
“Kemi marrë një fitore të vështirë me Teutën, që do të na çlirojë psikologjikisht. Në tri ndeshjet e fundit kemi marrë rezultate të mira. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm.
Do të thoja që në kampionat nuk ka ndeshje të lehta. Skënderbeu ka treguar se di të jetë rival i fortë. Kemi dalë dy ndeshjet e fundit barazim me këtë skuadër. Edhe ndeshja e radhës do të jetë e fortë, shpresoj që çdo gjë të shkojë sipas planeve tona.
Kampionati është shumë i gjatë, ka edhe shumë pikë në lojë. Synimet i kemi madhore. Nuk jemi aty u ku dëshironim në renditje, por kemi mundësi të rikuperojmë pikë ndaj rivalëve.
Kemi çaluar disi në sulm, por kur, çalon sulmi, çalojmë të gjithë. Raste kemi pasur e ndoshta ka qenë mungesë përqendrimi. Shpresoj që këto gola të humbur t’i rikuperojmë në ndeshjet e radhës.”, u shpreh Belica.



