Edison Ndreca është afrimi i radhës te skuadra e Kukësit. Ka qenë vetë klubi verilindor që ka njoftuar firmën me ish-mbrojtësin e Bylisit.
Futbollisti ka firmosur me Kukësin një kontratë 2-vjeçare dhe shton kështu forcat në ekip për sezonin e ardhshëm. Ndreca e njeh mirë kampionatin shqiptar, pasi në të kaluarën përveç Bylisit, ka luajtur edhe me skuadrat e Laçit, Teutës dhe Kastriotit. Në sezonin që lamë pas, 26-vjeçari tregoi paraqitje të shkëlqyera dhe për këtë arsye drejtuesit e Kukësit u treguan të shpejtë për ta marrë në skuadrën e tyre.
“Futboll Klub Kukësi njofton se mbrojtësi Edison Ndreca është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Klubi ka arritur marrëveshjen me mbrojtësin 26-vjeçar, duke firmosur kontrate për 2 sezonet e ardhshme.
Ndreca vjen në klubin e Kukësit nga skuadra e Bylisit që sezonin e fundit ishte në Kategorinë Superiore. Ndreca është njohës i mirë i kampionatit tonë, teksa ka qenë pjesë e skuadrës së Teutës, Laçit e Kastriotit. Në sezonin e fundit me fanellën e Bylisit, mbrojtësi Ndreca u aktivizua në 32 ndeshje duke shënuar 6 gola dhe duke dhënë 1 asist. Klubi i Kukësit i uron Ndrecës shumë suksese me fanellën e Kukësit! Mire se vjen Edison”, thuhet në komunikatën e publikuar nga Kukësi.
Për faqen e klubit ka folur edhe vetë lojtari, i cili u shpreh se e bindën objektivat dhe projekti i verilindorëve.
"Objektivat e Kukësit dhe projekti që klubi ka, më bindën dhe ma bënë më të lehtë zgjedhjen. Shpresoj që së bashku të bëjmë gjëra të mëdha dhe të rikthejmë titullin kampion në Kukës dhe Kupën e Shqipërisë. Për mua është kënaqësi që të vesh fanellën e Kukësit dhe do të jap më të mirën time! Forca Kukësi", përfundoi Ndreca.



