
Lewis Hamilton ka siguruar “pole position” në pistën e Silverstone dhe do të niset nga vija e parë e startit ditën e diel në garën për Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe.
Në krah të tij do të jetë piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel, ndërsa në vijën e dytë të nisjes do të jenë piloti tjetër i makinës italiane Kimi Raikkonen, ndërsa pas tij renditet finlandezi Valtteri Bottas me Mercedes.
Hamilton dha kohën 1’25”892, rekord për këtë pistë dhe “pole” i gjashtë për britanikun në pistën e shtëpisë.
Pas katërshes klasike të pilotëve Mercedes-Ferrari u renditën si zakonisht dy makinat Red Bull, me Max Verstappen që la pas shokun e tij të skuadrës Daniel Ricciardo. Më pas, në “top-10” u klasifikuan edhe Magnussen e Grosejan me Haas, Leclerc (Sauber) dhe Ocon (Force India).
Gjithsesi, gara e nesërme pritet të jetë spektakolare dhe ku kushtet e motit mund të jenë vendimtare për pilotët.



