
Prej shumë kohësh tashmë është kuptuar se e ardhmja e Mauro Icardit do të jetë larg ‘’ Parque De Princes ‘’ . Kohët e fundit është folur shpesh për një rikthim të mundshëm në Itali ku nuk ka munguar interesi i Juventusit dhe Romës . ‘’ Zonja e Vjetër ‘’ dhe ‘’ Verdhekuqtë ‘’ duket sikur janë larguar paska nga argjentinasi për të cilin orët e fundit ka hedhur grepat Tottenhami . ‘’ Gjelat e Londrës ‘’ do të kenë një favor për arsye se ish drejtori sportiv i bardhezinjve Fabio Paratici tashmë punon për llogari të tyre dhe mund të rezultojë determinant në negociatat për transferimin e 28 vjeçarit në ‘’ White Hart Lane ‘’.
Sulmuesi nga Rosario kërkon ta mbyllë përfundimisht kapitullin e zi të përjetuar në rradhët e ‘’ Les Pariziens ‘’ dhe ky interes ndoshta do t’ia mbushë mendjen për të startuar një eksperiencë në ishull me një skuadër që e ka humbur freskinë e mëparshme . Aventura e Mauro Icardit tek Paris St Germain filloi me këmbën e mbarë sepse arriti të ulë në stol urguajanin Edinson Cavani por në sezonin e dytë nuk ka mundur të vijojë në ritmet e mëparshme duke i krijuar shumë pakënqësi drejtuesve për të cilin derdhën në arkat e Interit në merkaton verore të 2019- tës 50 milionë euro .
Pavarësisht se mbështetja e trainerit Mauricio Pochettino ka qenë prezente në çdo rast , Mauro Icardi nuk është shfaqur në nivelin e duhur dhe i ka reduktuar shpresat për qëndrimin në kryeqytetin francez.
Në këtë periudhë të errët padyshim interesi i Tottenham Hotspur perceptohet si drita në fundin e tunelit dhe drejtuesit e Paris St Germain kanë evidentuar se janë në gatishmëri për dëgjimin e ofertave në drejtim të golashënuesit të mirënjohur .
Mospërmbushja e pritshmërive është shoqëruar normalisht me statistika të vakëta , ku në 28 ndeshje ka shënuar 13 gola , shumë pak këto për një lojtar për të cilin premisat ishin krejt ndryshe .



