
Përveç Juventusit, për problemet me plus-valencat në Itali, akuzohen edhe klube të tjera. Së fundmi në skenë kanë dalë edhe Interi, Napoli, Atalanta, Genoa dhe Sampdoria, klube për të cilat dyshohet se ashtu si Juventusi, kanë mashtruar në deklarimin e të ardhurave, në shitjen dhe blerjen e lojtarëve.
Në publikimin e “La Reppublica”, përmendet rasti i Genoas dhe Interit në verën e 2018, ku janë kryer 6 operacione, me një vlerë totale 78 milionë euro. Nga këto, 3 lojtarë kanë kaluar nga Genoa te Interi dhe 3 të tjerë nga zikaltrit te kuqeblutë. Megjithatë të gjashta lëvizjet janë bërë me 3 lojtarë të njëjtë, Radu, Pinamonti dhe Vanheusden.
Për Napolin, dyshimet janë në lidhje me transferimin e Osimhen, ku përmendet pagesa prej 50 milionë euro, plus kartonin e Karnezis dhe 3 lojtarëve të Primaveras, Manzi, Liguori dhe Palmieri, të cilët janë vlerësuar për 20 milionë euro në total.
Atalanta hetohet për transferimin e Christian Romero te Tottenham, ndërsa Sampdoria për Audero dhe disa lojtarë nga të rinjtë.



