Shkëlqimi me Real Sociedadin e ka bërë Martin Zubimendin një kandidat potencial për t’iu bashkuar një ekipi elite gjatë kësaj merkatoje verore.
Spanjolli ka treguar vlerat edhe tek Spanja e Luis de la Fuentes, e cila e fitoi Europianin e kësaj vere.
25 vjeçari ka zhvilluar 188 sfida zyrtare me ekipin nga San Sebastian gjatë 6 sezoneve dhe ka rezultuar një ndër më të mirët e trainerit Imanol Alguacil.
Pas Arsenalit edhe Liverpooli i Arne Slot ka hyrë në garë për shërbimet e tij.
Për ‘’ The Redsat ‘’ ka filluar një tjetër etapë me hollandezin në stol, drejtuesit e të cilëve kanë bërë gati çekun prej 60 milionë eurosh për Martin Zubimendin, shifër që i korrespondon klauzolës për prishjen e kontratës me bardheblutë.
Sigurisht, Real Sociedadi është përpara një rreziku pasi mund të humbasë një ndër lojtarët më cilësorë, i rritur në ekipet inferiore.
Vizioni për lojën dhe të qënit solid në prapavijë janë dy nga cilësitë që spikasin tek ky lojtar dhe nëse do të transferohet në ‘’ Anfield Road ‘’ do të ishte pjese e një ekipi pretendent për fitimin e titujve në të ardhmen.
Pritet që ditët vijuese të mbërrije oferta në adresë të Real Sociedadit, nga një klub shumë ambicioz që fatkeqësisht ka mbetur disi në prapavijë në lidhje me suksesin në sezonet pararendëse, edhe pse atë të fundit e përfundoi me fitimin e Kupës së Ligës.
Përpara suksesit në Europian Martin Zubimendi numëron edhe një Kupë të Mbretit me ekipin e zemrës, kampion në Lojërat Olimpike me Spanjën në 2020-tën dhe gjithashtu në Nations League me ekipin e parë.



