
Kapiteni i Partizanit, Egzon Belica, ka folur para mediave, në prag të sfidës së kthimit me Saburtalo në turin e parë në Conference League.
Mbrojtësi deklaroi se të kuqtë i favorizon edhe barazimi, për shkak të fitores në ndeshjen e parë, por përsëri ekipi do të kërkojë triumfin. Belica u shpreh se shpreson që vera të jetë sa më e gjatë në Europë për Partizanin.
Morëm vërtet rezultat të mirë 1-0, nesër na favorizon edhe barazimi, por do të kërkojmë fitoren. Ndeshja do të jetë e vështirë dhe patjetër që ka edhe presionin brenda.
Në minutat e fundit atje u tërhoqëm, ishin disa faktorë që ndikuan. Shumica e lojtarëve e ndien lodhjen, kundërshtari është në aktivitet e sipër, ndërsa për ne ishte ndeshja e parë zyrtare. Nesër është ndeshje tjetër, do të mundohemi të mbrohemi si ekip dhe patjetër që do të kemi edhe mundësitë për të shënuar.
Mbrojtja e sezonit të shkuar nuk mendoj se ka shumë ndryshim me aktualen. Shpresojmë që kjo verë të jetë sa më e gjatë në Europë.
Fuqia kryesore e ekipit kundërshtar ishte dalja në sulm me shumë forca, ishin gjithmonë me 5 lojtarë në gjysmëfushën tonë, por besoj se e kemi forcën për t’u përballuar me këtë ekip.



