
Komentatori dhe gazetari i sportit, Alban Xhihani thotë se Shqipëria tashmë ka bërë atë që duhej të bënte. Më tej, Xhihani në emisionin “Skaner” në MCN TV, tha se 3 ndeshjet e radhës të Kombëtares do të jenë ato vendimtaret.
“Për mendimin tim, kemi bërë atë që duhet të bënim. Po marrim pikët me skuadrat e vogla, mposhtëm Hungarinë. U mposhtëm në Poloni, megjithëse nuk është fundi të humbësh aty. Më pëlqen grupi i skuadrës te Shqipëria.
Unë isha në koment në ndeshjen e parë me San Marinon dhe e pashë sa të vështirë e kishim të shënonim. Sot pashë një lloj lirshmërie të jashtëzakonshme në loje. Ia bëja pyetjen vetes si ka mundësi që nuk fitonim me goleada me skuadrat e vogla. Sot e bëmë. Më erdhi shumë mirë që edhe ne me San Marinon fitojmë me goleadë si skuadrat e mëdha.
Ndeshjet e radhës do jenë 3 bomba, që do të tregojnë ku mund të shkojmë. Nuk kemi bërë asgjë të jashtëzakonshme. Nëse kapim vendin e dytë do jetë fantastike. Me formën që po kalon Ismajli, është një titullar i padiskutueshëm, por Reja e la Kumbullën për t’i dhënë besim.”, u shpreh Xhihani.



