Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mori pjesë sot në aktivitetin promovues të prezantimit të Strategjisë së Futbollit për Femra në Shqipëri, organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në fjalën e saj, ministrja Kushi theksoi se “kënaqësi të merrja pjesë në prezantimin e Strategjisë së Futbollit për vajza në Shqipëri, organizuar nga FSHF, ku gjeta rastin të nënvizoj rëndësinë që qeveria shqiptare i ka dhënë zhvillimit të sportit në shoqërinë tonë”.
Ministrja Kushi bëri thirrje për gjithëpërfshirje sa më të gjerë në sport dhe që sportistet të mbështeten edhe nga familjet e tyre për të ndjekur ëndrrat dhe dëshirat e tyre.
“Strategjia jonë për sportin po synon tashmë burime dhe programe të reja investimi, të cilat rrisin nivelin dhe cilësinë e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në sport, për të sensibilizuar opinionin se ato kanë nevojë të përkrahen dhe të inkurajohen akoma më shumë”, – tha Kushi.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të sportit, personalitete nga futbolli, trajnerë e lojtarë.



