Ka qenë një verë e pasur me blerje ajo e Milan-it, e para nën drejtimin e Yonghong Li, i cili i ka besuar dyshes Fassone-Mirabelli për të kthyer “Djallin” aty ku i takon. 11 lojtarë të rinj janë vënë në dispozicion të trajnerit Montella, një ekip i plotë, por jo vetëm. Po, sepse drejtuesit e rinj të kuqezinjve, siç ka treguar tentativa e bërë në minutat e fundit për të marrë në Milano sulmuesit Pietro Pellegri dhe Eddy Salcedo (të dy të datëlindjes 2001), kanë filluar të mendojnë që tani për të ardhmen e afërt dhe për të marrë te kuqezinjtë të rinj të talentuar.
Në fakt, kanë qenë të shumta blerjet e bëra në këtë periudhë edhe për ekipin e të rinjve, që, duke filluar nga ky sezon, do të drejtohet nga Gennaro Gattuso. Ish-numri 8 i kuqezinjve, dikur idhull i “San Siro”-s, mund të buzëqeshë: skuadra e tij, që ishte cilësore dhe premtuese edhe më parë, është përforcuar me sulmuesin e krahut polak Przemysław Bargiel (datëlindja 2000), i marrë nga Ruch Chorzów, me portugezin, edhe ky sulmues krahu, Tiago Dias (1998), i marrë nga Benfica, me qendërsulmuesin norvegjez Jorgen Strand Larsen (2000), i marrë nga Sarpsborg, dhe, në fund, mesfushori sulmues Sergio Sánchez Gioya, i datëlindjes 1999, i cili është “vjedhur” nga ekipi i të rinjve të Real Madrid.



