
Kukësi po tregon një formë të mirë në kampionat, teksa ka regjistruar dy fitore radhazi, ndaj Egnatias dhe ndaj Tiranës.
Në lidhje me këtë, në emisionin “Skaner” në MCN TV, foli trajneri i verilindorëve, Rrahman Hallaci. Ky i fundit deklaroi se momentalisht skuadra mendon vetëm t’i largohet zonës së ftohtë të mbijetesës, pasi shtoi se nuk janë në situatë komode, sa i përket renditjes.
Hallaçi u shpreh se në drejtimin e Kukësit nuk ka qenë në provë, por ka marrë besimin e drejtuesve, ndërsa shtoi se po pret edhe një sulmues nga merkato.
Që në momentin që kam marrë drejtimin, kemi bërë disa ndeshje të mira, por jo gjithmonë. Kemi bërë mirë në fushë, Tirana ka kualitete, por duke parë edhe lojtarët kryesorë të tyre, i izoluam. Nuk i lamë hapësira. Duhet të jemi një skuadër dhe të japim maksimumin. Ende nuk jemi në gjendje të mirë. Nuk na pëlqen vendi ku jemi në renditje. Nuk dua të flasim për objektiva madhorë, por duhet të dalim nga kjo situatë ku ndodhemi. Unë i kam thënë skuadrës që të dalim nga zona e ftohtë dhe të shikojmë në Kupë, të ecim lart.
Presidenti e ka ndërtuar për kreun dhe nuk është i lumtur për gjendjen ku jemi. Na duhet shumë punë për ta bërë të lumtur presidentin dhe tifozët kuksianë. E dimë shkallën e vështirësisë dhe pas ndeshjes i thashë skuadrës që nuk duam të festojmë se vjen menjëherë ndeshja tjetër. Nuk jemi në kushte komode. Duhet të jemi të kujdesshëm.
Unë te Kukësi nuk kam qenë në provë. Kam folur me drejtuesit dhe më kanë thënë se duhet të vazhdojmë punën, skuadrën e njoh. U ndërruan dy trajnerë dhe unë isha më afër skuadrës. Shpresoj të jetë zgjedhja më e mirë. Në merkato po shikojmë edhe për një sulmues, të shikojmë, nesër ose pasnesër mund të vijë.



