
Një erë e re nis te klubi i Kukësit. Klubi verilindor ka ndryshuar pronësi, duke u larguar nga familja Gjici.
Në prezantimin e pronarëve të rinj, drejtori sportiv Nikita Kornejevs, u shfaq entuziast për këtë aventurë të re, ndërsa theksoi se do punohet për të rikthyer skuadrën në elitë.
Fillimisht do të thoja që jam shumë i lumtur që jam këtu në Shqipëri, shumë krenar dhe i nderuar që bëhem pjesë e një klubi me kaq histori. Kam ardhur të bëjmë një punë të madhe dhe këtë do ta bëjmë hap pas hapi. Puna jonë si klub është të kthejmë gëzimin e futbollit në qytetin e Kukësit dhe të kthejmë klubin e Kukësit ku i takon, në Superiore. E besoj me të vërtetë se mund të arrihet. Në karrierën time e kam arritur një sukses të tillë, në vendlindjen time Letoni, kisha klubin Tukums 2000 që ishte në vështirësi të mëdha. Në sezonin e parë e morëm ekipin në kategorinë e dytë dhe e ngjitëm në Premier Ligë dhe klubi vazhdon të luajë ende atje. Edhe te Kukësi kemi një staf të përgatitur që e dinë mirë se çfarë duhet të bëjmë, janë gati për sukses dhe po punojnë me dashuri të madhe për këtë klub. Do të vazhdojmë rrugën e lënë nga presidenti i mëparshëm dhe shpresojmë të sjellim edhe më shumë dritë në klubin e Kukësit.
Shumë i lkumtur për këtë aventurë u shfaq edhe Renato Arapi, do të mbajë rolin e drejtorit teknik.
Pavarësisht gjendjes se ku ndodhet tani, Kukësi është një ekip elitar që i ka dhënë futbollit shqiptar shumë. Ftesa e donatorëve që kanë ardhur te Kukësi, projekti që ata kanë dhe fakti që e di se si punojnë, më bëri që sot të jem këtu.



