
Është mbyllur pa gola pjesa e parë mes Turqisë dhe Italisë, ndeshjes hapëse të Europianit. Në minutën e 21, Italia pretendoi për penallti, teksa pas një gjuajtje nga Immobile, topi përplaset në dorën e Soyuncu, por arbitri e konsideroi gjithçka të rregullt.
Një minutë më vonë, skuadra e Mancinit i shkoi shumë afër golit, me Chiellinin, por ky i fundit pa që gjuajtja e tij me kokë, të ndalej nga portieri Cakir. Italia nuk i ndali sulmet, duke i shkuar disa herë afër golit, por pa sukses.
Për sa i përket formacioneve, Mancini vjen me një 4-3-3, ku në portë luan Donnarumma, mbrojtja përbëhet nga Florenzi, Bonuçi, Chiellini dhe Spinazzola, në mesfushë e nisin titullarë Barella, Jorginho dhe Locatelli, ndërsa sulmi përbëhet nga Berardi, Insigne dhe Immobile.
Nuk ka surpriza te Turqia që rreshtohet me 4-1-4-1, teksa e nis nga minuta e parë në portë Cakir dhe para tij qëndrojnë Meras, Soyuncu, Demiral dhe Celik, ndërsa Yokuslu qëndron para mbrojtjes. Pas sulmuesit kryesor Yilmaz, qëndrojnë Calhanoglu, Yazici, Tufan dhe Karaman.



