Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e futbollit dhe atë të Amerikës latine në veçanti. Futbollisti 27-vjeçar i Nacional Juan Izquierdo ka ndërruar jetë pas 5 ditësh në spital, ka njoftuar ekipi i tij Club Nacional.
27-vjeçari ishte duke iu nënshtruar trajtimit mjekësor që kur u rrëzua gjatë ndeshjes së dytë të raundit të 16-të të Copa Libertadores kundër Sao Paulos në stadiumin Morumbi të Brazilit më 22 gusht.
“Me pikëllimin dhe tronditjen më të thellë në zemrat tona Klubi Nacional njofton vdekjen e lojtarit tonë të dashur Juan Izquierdo. Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët dhe të dashurit e tij. I gjithë Nacional është në zi për humbjen e tij të pariparueshme”, shkroi Nacional në X.
Fillimisht iu dha ndihma e parë dhe futbollisti u përmend rrugës për në spital, por fatkeqësisht kjo nuk ka mjaftuar që ai ti mbijetonte fatkeqësisë.

E gjithë Amerika latine është në zi për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht thuhet se Izquierdo ndërroi jetë për shkak të aritmisë në zemër.
Karriera profesionale e Izquierdo filloi në vitin 2018 në klubin lokal Cerro. Ai u bashkua me Peñarol vitin e ardhshëm, por nuk mori shumë kohë për të luajtur. Mbrojtësi më pas u transferua te Montevideo Wanderers.
Izquierdo nënshkroi me Nacional në vitin 2022, luajti një ndeshje dhe më pas u transferua te klubi lokal i Liverpoolit.
Mbrojtësi ishte një nga lojtarët më të mirë të Liverpool-it në fushatën që e çoi skuadrën drejt titullit të ligës së Uruguait në vitin 2023, i pari i klubit në më shumë se një shekull.
Izquierdo u kthye në Nacional këtë vit dhe po konkurronte për një pozicion në formacionin fillestar me veteranin Coates, i cili luajti për kombëtaren e Uruguait. Ai luajti 23 ndeshje këtë vit dhe shënoi një gol.



