
Dështimet e viteve të fundit janë një sinjal i qartë se Juventusi duhet të intensifikojë aksionet në merkaton e verës për ti paraprirë një sezoni, gjatë të cilit do të tentohet të ndryshohen fatet e Serisë A dhe Champions Leagues.
Massimiliano Allegri deri pak kohë më parë e ka treguar se mund ta dominojë Italinë në çdo aspekt por i ka shpëtuar në dy raste trofeu i Champions Leagues me dy finale të humbura , respektivisht kundër Barcelonës dhe Real Madridit.
Kohët kanë ndryshuar por objektivat vijojnë të jenë të njëjtët për ‘’ Zonjën e Vjetër ‘’ e cila edhe në këtë sezon nuk ka asnjë shpresë për kampionatin dhe duhet të ngushëllohet vetëm me kupën , gjithmonë në rast se e fiton.
Llogaritë vijojnë të bëhen tek torinezët dhe dëshira e radhës për Massimiliano Allegrin është Benoit Badiashile , mbrojtës që po bën shumë mirë me Monacon dhe sipas ‘ Corriere dello Sport ‘ , ish rekordmenët e Scudettos kërkojnë ta shtojnë si element në prapavijë , e cila ka rezultuar me ulje-ngritje të vazhdueshme dhe rivalët nuk e kanë patur të vështirë ta superojnë.
Juventusi , përballë nevojës urgjente për të harruar të kaluarën , ka dërguar agjentët e tij për të parë ndeshjet e ekipit nga Principata dhe konkluzionet janë mjaft pozitive sepse Benoit Badiashile ka ditur të jetë në lartësinë e sfidave duke u shëndërruar me vetëm 21 vite mbi supe në një ndër lojtarët më të spikatur të Ligue 1 .
Por presidenca vendase tanimë është ndërgjegjsuar për faktin se paraqitjet dinjitoze të franko-kongolezit do të ndikojnë në rritjen e vlerës së kartonit dhe ndoshta do të prodhojë vështirësi të natyrshme në çdo merkato por s’duhet anashkaluar se Benoit Badiashile mund ti rezultojë një goditje e qëlluar juventinëve që s’mendojnë gjë tjetër veçse rikthimit tek suksesi për arsye se distanca e mëtejshme do të konsiderohej e patolerushme nga drejtuesit e kësaj skuadre .



