Trajneri Elvis Plori, i cili pasoi Thomas Brdaric në stolin e Vllaznisë, ka folur ditën e sotme para mediave, në prag të sfidës që shkodranët do të luajnë ditën e nesërme ndaj Egnatias.
Plori tha se ishte mësuar me Brdaric dhe tani do i mungojnë. Ai foli edhe për mungesat te Vllaznia, ku tha se lojtarët zëvendësues mezi presin që të luajnë, ndërsa shtoi se skuadra duhet të shtrëngojë dhëmbët për të arritur Europën.
Nëse nuk do ishte punë e vështirë, nuk do e merrja përsipër këtë gjë. Kam qenë njeriu më i afërt në klub që mund të merrja këtë rol. Të gjithë ishin dakord për këtë pjesë. Veç anës tekniko-taktike, duhet të ndryshojmë në disa pjesë.
Kemi pësuar shumë gola që kanë ndikuar edhe në anën psikologjike. Lojtarët janë të vrarë në këtë anë. Me Brdaric kam kaluar shumë mirë, kemi respekt për njëri-tjetrin. Kur rri me një njeri, të mungon. E falënderoj për çdo gjë dhe i uroj suksese kudo të jetë.
Duhet të jemi racionalë, më cinikë për rezultatin. Të bëjmë më mirë në tranzicionin negativ, aty kemi probleme. Kur kemi humbur topa në mesin e fushës, aty kemi gabuar. Lojtarëve që janë në grup duhet t’u jap besim. Kemi pesë lojtarë jashtë, 90 % kanë luajtur në formacion. Nuk duhet të mendoj vetëm për ta, pesë zëvendësuesit presin momentin. Në sytë e tyre shoh dëshirë dhe entuziazëm. Pres të na shpërblejnë.
Duhet të harrojmë të kaluarën dhe ndeshjen me Tiranën. Tifozët kërkojnë që Vllaznia të jetë lart, pres mbështetjen e tyre, të mediave. Të shtrëngojmë dhëmbët për t’u futur në Kupat e Evropës.



