
Sulmuesi Ernest Muçi, foli në konferencë për shtyp, për miqësoren që Shqipëria do të luajë të martën me Bullgarinë.
Muçi deklaroi se dëshira është e madhe për vendin e parë në grup. Në lidhje me sfidën ndaj Bullgarisë, sulmuesi tha se nuk e shikojnë si miqësore, por si ndeshje zyrtare.
Të them të drejtën të gjithë ekipi, të gjithë çunat kanë grintë që ne të shkojmë në Europian. Që nga fillimi i këtyre kualifikuesve, të gjithë kemi pasur këtë objektiv, kështu që të gjithë jemi shumë të lumtur që arritëm që të merrnim një fitore shumë të madhe me Çekinë. Do fokusohemi te këto dy ndeshjet e mbetura, që pse jo të jemi në vendin e parë të grupit.
Për të ardhmen akoma nuk e di. Jam akoma në gjysmën e këtij fillimi kampionati, kështu që duhet të fokusohem akoma. Nuk e di nëse është mundësia, gjithmonë egoja e futbollistit është që të luajë në një kampionat sa më të fortë. Shpresoj që të jap më të mirën dhe të bëhet diçka e mirë.
Të them të drejtën këtë ndeshje nuk e shikojmë shumë miqësore, e shikojmë më shumë si një ndeshje zyrtare. Shpresoj që të luajmë sa më mirë dhe të paraqitemi sa më mire përballë tifozëve tanë. Kështu që do të jetë një ndeshje që do luftojmë shumë dhe do të duam që ta fitojmë.
Të them të drejtën, përveç komplimenteve me trajnerin Silvinjo kemi folur se si mund të përmirësohem unë si futbollist. Ai më ka ndihmuar që nga hera e parë që jam grumbulluar këtu në Kombëtare. Është një trajner shumë i mirë dhe të gjithëve na ndihmon të bëjmë mirë në klubet tona dhe te Kombëtarja.
Shpresoj të ndodhë, që të shënoj edhe unë në krahun tjetër si Jasiri. Jam shumë i lumtur për Asanin, që po bën shumë mire. Edhe e meriton. Shpresoj që një ditë dhe unë të bëhem pjesë e kësaj.



