
Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Ernest Gjoka, i ftuar në emisionin “Skaner” në MCNTV, ka thënë se bukuria e kampionatit shqiptar, ishte lufta e skuadrave deri në fund. Sipas Gjokës, rruga e Teutës për titullin kampion nisi që një sezon më parë.
“Kjo ishte e bukura e këtij kampionati, sepse ishte shumë i luftuar. Të gjitha skuadrat rivalizuan deri në fund. Mendoj se gjithmonë do ketë debate, në një sport si futbolli që është shumë i ndjekur. Në fund, kampion del ai që bën më mirë dhe që e meriton më shumë. Gjithmonë një skuadër që pretendon për kampion, e nis rrugën një vit më parë. Teuta vitin e kaluar fitoi Kupën. Që në fillim e nisën për titull. Gjatë gjithë sezonin kam dëgjuar të thonë se duam titullin dhe ia dolën. Kampionati kështu është. Mund të bësh një gabim, por edhe mund të përfitosh nga një gabim i të tjerëve. Që në fillim të sezonit, mendonim se Teuta dhe Laçi do rivalizonin për titull. Erdhi një moment kur filluam të mendojmë se për titull do jenë edhe Partizani me Vllazninë. Kushdo mund ta fitonte titullin nga këto 4 skuadra. Do e meritonin të gjitha nëse e fitonin. Hasanbelliu ka shumë vite që e kërkon titullin. Nuk është nga këta që bën zhurmë dhe ofendon njerëz. Nuk bëhet protagonist. Edmondi është nga ata që edhe kur ka humbur ka thënë ‘E meritonim dhe mirupafshim!’ E meritonin.”, u shpreh Gjoka.



