
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka shpërthyer nga trajnerit Artan Pogoni, pas një deklarate të këtij të fundit në lidhje me projektin “ekipet sportive”, për të cilën tha se: “Rilindja po rikthen “kinezëritë” me spartakiadat”.
Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Ylli e quajti një turp deklaratën e Pogonit, duke thënë se ka partinë në tru.
Mua më vjen keq që këta njerëz që i përkasin volejbollit, në vend që të gëzohen që volejbollit po i vijnë miliona dollarë dhe po bëhet një ekip, ose po bëhen 700 ekipe, këta thonë janë kinezërira. Kjo është e pafalshme për Pogonin, që është trajner. T’i vijë turp për këtë që ka bërë. Janë para që i shkojnë sportit, por ai thotë që janë kinezërira, sepse në tru ka partinë. Këtu jemi për të bërë sport, duhet ta lëmë politikën mënjanë. Ai vazhdon me linjën e partisë, se këtë e bën PS. Unë do jem pro sportit, si ta zhvillojmë. Çfarë kanë olimpiadat më shumë se kjo që bëmë ne?! Mua më janë lutur të gjithë drejtorët e gjimnazeve, pse nuk i kishim marrë, por vetëm 22 mijë vende janë në stadium.
Këta mediokër, ne do i mposhtim me luks. Do i mposhtim me punë. Federata Europiane e volejbollit dhe basketbollit do vijnë në Shqipëri në muajin janar, sepse janë të mahnitur nga projekti 5 milionë dollarë. Do bëhen pjesë e aktivitetit. Në vend që ky trajner të gëzohet, ky ditëzi, ky mendjeshkurtër, që janë futur atje në një fole dhe vetëm sajojnë dhe shpifin gjithë ditën. Ishte një stadium i mbushur plotë me fëmijë, jo me militantë partie, siç i mbushin ata. Fëmijë që vinin me dëshirë aty. Ne i pranojmë mendimet ndryshe, por kjo është çmenduri.



