
Juventusi ka regjistruar fitoren e parë në kampionat për këtë sezon, teksa ka mposhtur ditën e sotme Spezian në transfertë me rezultatin 2-3.
Një fitore me shumë vuajtje kjo për bardhezinjtë e Allegrit, të cilët e panë veten në disavantazh në pjesën e dytë.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, pas golave të Kean në minutën e 28-të për Juventusin dhe Gyasi në minutën e 33-të për Spezian. Këta të fundit e nisën vrullshëm pjesën e dytë, pasi në minutën e 49-të gjetën edhe golin e avantazhit me Antiste.
Skuadra e Thiago Motta iu afrua edhe golit të tretë në disa raste, por pa sukses. Ishte Chiesa, i cili barazoi shifrat në minutën e 66-të, ndërsa 6 minuta më vonë De Ligt përmbysi rezultatin.
Këtë avantazh “Zonja e Vjetër” e ruajti deri në fund, duke marrë fitoren e parë, e cila i dërgon në kuotën e 5 pikëve në vendin e 12-të.



