Aksionet e Adidas shënuan rritje në bursë pas rezultateve historike në Maratona e Londrës 2026, ku atletët që përdorën produktet e kompanisë dominuan garën dhe vendosën rekorde të reja botërore.
Keniani Sabastian Sawe hyri në histori si sportisti i parë që përfundoi një maratonë zyrtare në më pak se dy orë, me kohën 1:59:30. Ai u pasua nga etiopiani Yomif Kejelcha, ndërsa në garën e femrave, Tigist Assefa vendosi rekord të ri botëror me kohën 2:15:41.
Të tre atletët garuan me modelin më të ri të këpucëve të vrapimit të Adidas, Adizero Adios Pro Evo 3, një produkt inovativ që ka tërhequr vëmendjen e tregut për peshën ultra të lehtë dhe performancën e lartë.
Pas këtyre arritjeve, aksionet e Adidas u rritën fillimisht me rreth 2% në bursën e Frankfurtit, përpara se të stabilizoheshin në një rritje prej 1.4%. Ky zhvillim vjen në një periudhë sfiduese për kompaninë, e cila këtë vit ka pësuar rënie të përgjithshme të aksioneve për shkak të konkurrencës së fortë në treg dhe faktorëve ekonomikë globalë.
Analistët vlerësojnë se suksesi në Maratonën e Londrës përbën një moment kyç për rikthimin e Adidas në segmentin e vrapimit, duke forcuar imazhin e saj për inovacion dhe performancë. Në të njëjtën kohë, kjo fitore i jep avantazh ndaj rivalit Nike, duke konsoliduar besueshmërinë sportive të markës gjermane.
Ekspertët theksojnë se sfida kryesore për Adidas do të jetë shndërrimi i këtij suksesi sportiv në rritje konkrete të kërkesës nga konsumatorët, veçanërisht mes vrapuesve amatorë dhe komuniteteve sportive.



