
Trajneri i Sassuolo, Alessio Dionisi, është shprehur se skuadra e tij nuk ka asgjë për të humbur dhe do të tentojnë t’i hapin probleme Milanit.
Kuqezinjtë do të përballen me Sassuolon në ndeshjen e fundit të kampionatit, në një sfidë ku u mjafton barazimi, për t’u shpallur kampionë.
Megjithatë te Sassuolo, do të tentojnë ta ndalin skuadrën e Piolit me çdo kusht dhe kjo është bërë e ditur nga trajneri Dionisi.
E kuptoj që nuk na japin shumë shanse. Milani është një ekip më i mirë dhe po kalon një seri të pamposhtur.
Ata e meritojnë të jenë kryesues të renditjes dhe është normale që shumë e japin fitoren e tyre si të mirëqenë, por ne jemi Sassuolo dhe nuk dorëzohemi. Rezultati nuk është vendosur ende.
Ne nuk kemi asgjë për të humbur dhe kemi cilësitë për të krijuar probleme për Milanin. Ne luajmë futboll sulmues, si Milani, dhe jemi të rrezikshëm me kundërsulme. Ne duam të tregojmë se sa shumë jemi përmirësuar.
Kujtojmë se Interi mban vendin e dytë me 81 pikë dhe në sfidën e fundit përballen me Sampdorian, aty ku do të kërkojnë fitoren, për të shpresuar në një humbje të Milanit, për të marrë titullin kampion.



