Emiljano Çela ka nisur aventurën e tij si trajner te Kastrioti, aty ku do të pasojë të larguarin Ramadan Ndreu. Çela ka folur për herë të parë si trajner i krutanëve, ku ka thënë se di si t’u marrë maksimumin lojtarëve që ka në dispozicion.
Duke folur për problemet e Kastriotit deri tha, ai theksoi se vendosja e lojtarëve në pozicionet e tyre jo natyrale, ka bërë që të ketë probleme në lojën e skuadrës.
“Pavarësisht se disa veta e kanë menduar ndryshe, unë e mendoj si fakt pozitiv që deri më dje isha në fushë dhe sot dola si trajner. Mendoj që e njoh më afër mentalitetin e lojtarëve, fakti që mu dha mundësia të isha trajner i Kastriotit, është diçka pozitive sepse i njoh problemet.
Falënderoj trajnerin që ka qenë sepse ka punuar mirë nga ana fizike e ekipit. Problemi më i madh është pozicioni i lojtarëve në role natyrale. Kjo mendoj që ka sjellë dhe disa probleme në aspektet e lojës. Është ndryshe kur një lojtar luan në rolin e tij natyral.
Për mua është e rëndësishme të punoj me lojtarët që janë. Janë grup i mirë dhe kam besim tek ky ekip. I kemi thënë direktivat presidentit. Kemi mangësi në sulm dhe në krahët e mesfushës. Të shohim se çfarë do të sjellë merkatoja e janarit.
Është një sfidë e madhe për të gjithë. E rëndësishme është që të mos ta shohim tabelën e renditjes aktualisht. Të rregullojmë problemet e fazës së parë dhe të rikthejmë besimin dhe mentalitetin tek lojtarët. Do të shohim më vonë dhe tabelën.
Është një përgjegjësi shumë e madhe të jesh trajner në elitën e futbollit shqiptar. Shpresoj dhe besoj që do të bëjmë më të mirën e mundshme.
E thashë dhe më parë që është aspekt pozitiv. I njoh lojtarët nga ana sportive dhe personale. E di si tu marr maksimumin këtyre lojtarëve.”, u shpreh Çela.



