Shpëtim Duro largohet nga drejtimi i Laçit. Klubi kurbinas nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar, njofton mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin kryeqytetas.
Duro mori drejtimin e Laçit në dhjetor të vitit të kaluar, me kurbinasit që nën drejtimin e tij bënë një kampionat shumë të mirë, duke luftuar për titullin kampion deri në javën e fundit.
Përveç kësaj, Laçi me Duron në stol, bëri një rrugëtim të shkëlqyer në Europë, duke shkuar deri në turin e tretë të Conference League, si asnjëherë më parë në histori të kurbinasve.
Pas aventurës në Eruopë, trajneri 61-vjeçar dhe presidenti Pashk Laska, kanë shtrënguar duart duke mbyllur bashkëpunimin mes tyre.
“Shpëtim Duro nuk është më trajneri i skuadrës sonë. Pas gati një viti te Laçi, ai largohet duke e shënuar emrin në historinë e klubit si trajneri i parë që kalon dy ture në kupat e Europës në krye të ekipit tonë. Më parë e kishte mbyllur kampionatin në vendin e katërt me ne, ndërsa tani kemi ndarë rrugët duke shtrënguar duart.
Pas një vere emocionuese për të gjithë, kemi vetëm fjalë të mirë për Duron dhe stafin e tij, për punën e bërë në krye të ekipit dhe gjithçka tjetër.
U urojmë suksese në vazhdim dhe i falënderojmë për çdo ditë të punës së tyre në krye të skuadrës tonë, punë e bërë për rritjen e ekipit dhe arritjen e objektivave. Faleminderit profesor Duro!”, thuhet në njoftimin e publikuar nga klubi i Laçit.



