
Marrëdhëniet ndërmjet Interit dhe Chelseat vijojnë të shkëlqyera .
Italianët dhe anglezët akorduan rikthimin Romelu Lukakut në ‘’ Giusseppe Meazza ‘’ pas një eksperience të dytë në ‘’ Stamford Bridge ‘’ e cila nuk i përmbushi pritshmëritë e belgut .
Kjo histori do të vijojë edhe në të ardhmen sepse tanimë zikaltërit i kanë shkelur syrin marokenit Hakim Ziyech, sulmues që vlerësohet shumë nga Simone Inzaghi.
Largimi i Ivan Perisicit tek Tottenham Hotspuri e ka lënë disi të varfër ofensivën e Interit dhe ishi i Lazios kërkon një ekip më kompetitiv në fazën e dytë të sezonit, e cila do të përcaktojë shumë për të ardhmen.
‘’ Blutë e Londrës ‘’ arritën transferimin e 29 vjeçarit për 40 milionë euro në merkaton dimërore të 2020-tës por Hakim Ziyech, fillimisht me Frank Lampard dhe më pas me Thomas Tuchel nuk ka bindur dhe ky fakt tek një ekip si Chelsea nuk tolerohet.
Situata vijon e njëjta edhe me anglezin Graham Potter dhe Interi shikohet si një dritë në fundin e tunelit për këtë lojtar që impresionoi në të kaluarën tek Ajaxi por tek anglezët ka rezultuar një dështim.
Gjithsesi nëse do të vendosë për ish kampionët e Scudettos, historia mund të ndryshojë sepse është një ekip që gjithmonë synon trofetë dhe ky fakt mund ta ndihmojë për të avancuar të ashtuquajturin ‘’ Magjistari ‘’.
Objektivi i Interit sigurisht është suksesi në Serinë A dhe Champions League dhe nëse do të jetë kështu do të ishte i dyfishtë për sa i përket kampionatit sepse do të ulnin nga froni rivalët e përjetshëm të Milanit.



