
Serie A na ka dhuruar një ndeshje me të vërtetë spektakolare ditën e sotme, siç ishte ajo mes Venezias dhe Hellas Verona, me këta të fundit që kanë bërë një përmbysje të çmendur nga 3-0 në 3-4.
Venezia e mbylli pjesën e parë në avantazhin e 3 golave, pasi kishte shënuar me Ceccaroni në minutën e 12-të, Crnigoj në minutën e 19-të dhe Henry në minutën e 28-të.
Megjithatë te Hellas Verona nuk u dorëzuan dhe në pjesën e dytë kthyen gjithçka në favor të tyre. Diferencat u ngushtuan në minutën e 52, kur Henry shkaktoi autogol, ndërsa në minutën e 63-të, Venezia mbeti me 10 lojtarë, pasi Ceçaroni u ndëshkua me karton të kuq.
Këtë moment e shfrytëzoi në maksimum Verona, që shënoi edhe 3 herë të tjera, fillimisht me Caprari në minutën e 65-të dhe më pas me Simeonen dy herë, në minutat 67 dhe 85.
Në ndeshjet e tjera, Fiorentina mposhti 2-3 Bolognan, ndërsa Spezia barazoi 2-2 ndaj Sassuolo, aty ku golin e parë të takimit e shënoi sulmuesi i Shqipërisë, Rey Manaj.



