
Momenti kritik i Juventusit ka shërbyer si një reflektim për drejtuesit, të cilët e kanë përqëndruar vëmëndjen tek merkatoja për të tentuar ndryshimin e ëndërruar .
‘’ Zonja e Vjetër ‘’ si pak herë më përpara e ka vënë seriozisht në rrezik kualifikimin në fazën me eleminim direkt në Champions League dhe në Serinë A vijon të luhatet.
Objektivi i Massimiliano Allegrit në merkato është Christian Pulisic, i cili tek Chelsea nuk po gjen hapësira dhe bardhezinjtë mund të jenë destinacioni i ardhshëm.
Vetëm 25 gola dhe 19 asiste në 123 sfida ka arritur amerikani tek ‘’ Blutë e Londrës ‘’ , lojtar që në fakt nuk ka përmbushur pritshmëritë e anglezëve, me të cilët kontrata i skadon në 30 qershorin e 2024-tës .
Normalisht që zërat për një largim nga ‘’ Stamford Bridge ‘’ kanë filluar të qarkullojnë sepse tek një ekip si Chelsea, situata të tilla nuk tolerohen .
Një kalim në Serinë A , sidomos tek ish rekordmenët e saj mund të jetë fillimi i ndryshimit për 24 vjeçarin, nga i cili pritet shumë, ndërsa londinezët shpresojnë se mund të rikuperojnë sadopak nga investimi prej 64 milionë eurosh i bërë në 2019-tën kur e transferuan nga Borussia Dortmundi.
Distancimi nga titujt prej dy sezonesh sigurisht ka shkaktuar dhimbje të forta koke tek drejtuesit e torinezëve por besohet se gjërat do të ndryshojnë pasi historia mbi supe konsiderohet një shtysë për rikthimin tek suksesi.



