
Ditën e sotme u luajtën 3 ndeshje, të vlefshme për javën e katërt në elitën e futbollit kosovar. Malisheva vazhdon të surprizojë, teksa ditën e sotme ka mposhtur me rezultatin 0-3 Llapin në transfertë. Dopieta e Stullqaku në minutat 57 dhe 59, dhe goli i Olivier në fund i dhanë 3 pikët Malishevës, që tashmë ngjitet në vendin e tretë me 7 pikë, ndërsa Llapi mbetet në vendin e tetë me vetëm 2 pikë.
Fitore ka korrur edhe Feronikeli, që mposhti minimalisht në shtëpi Dukagjinin. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Adri Qorri në minutën e 4-t.
Ndërkohë supersfida e javës, mes Dritës dhe Ballkanit është mbyllur në barazim pa gola. Të dyja skuadrat kishin raste shënimi, por nuk ia dolën dot ta dërgojnë topin në rrjetë. Me këtë barazim dy skuadrat mbajnë dy vendet e para të renditjes me nga 8 pikë.



