
Duket se largimet nuk kanë fund nga Tirana. Ditën e sotme është zyrtarizuar edhe “divorci” i katërt te bardheblutë. Nëpërmjet një postimi në faqen e klubit, kryeqytetasit kanë njoftuar edhe largimin e mbrojtësit veteran, Kristi Vangjeli. Këtij të fundit i përfundoi kontrata me Tiranën dhe palët nuk arritën një marrëveshje për rinovimin e saj.
Në këtë situatë, Vangjeli ka dalë lojtar i lirë dhe tashmë është në kërkim të një skuadre të re për të vazhduar karrierën futbollistike.
35-vjeçari u bashkua me Tiranën në verën e vitit 2019, teksa në dy sezone me bardheblutë, ku ishte edhe titullar, ia doli të fitojë edhe një titull kampion. Vangjeli është largimi i katërt në pak ditë te Tirana, pasi më parë kanë ikur edhe Idriz Batha së bashku me Agustin Torassën dhe Elton Cale.



