
Manchester United është në kërkim të stabilitetit të munguar në mbrojtje. Ole Gunnar Solskjaer nuk është kënaqur me funksionimin gjatë këtij sezoni dhe shpreson se do të ketë fatin në krah për të transferuar në "Old Trafford", lojtarët që dëshiron. Sipas Sky Sport, reparti defensiv cilësohet prej kohësh si më problematiku për "Djajtë e Kuq", pavarësisht se kanë arritur një sukses të madh që shpresojnë t'i shkojnë deri në fund. Kalimi në finalen e Europa Leagues ka shkaktuar një entuziazëm të madh tek anglezët, por duhet të mposhtin një kockë të fortë si Villareali.
Për mosdaljen nga këto shina, traineri norvegjez ka fokusuar tre emra që mund t'i sjellin ndryshimet e pritura Manchester United. I pari në listë është Cristian Romero. Huazimi tek Atalanta e ka rritur shumë argjentinasin që me shumë përkushtim ka prekur majat në Serinë A sepse cilësohet si një ndër mbrojtësit më të suksesshëm.
Bergamaskët kanë një opsion blerjeje sepse kartoni i tij i përket Juventusit, por me hyrjen në luftë të 20 herë fituesve të Premier League mund të dalin faqebardhë në këtë histori. Kartoni i 23-vjeçarit nuk i kalon 25 milionë eurot, shifër mëse normale për anglezët.
Pas tij është Sven Botman. Lojtari i Lilles ka fituar kredite të mjaftueshme për t'u hedhur hapin e ëndërruar sidomos pas afrimit me titullin kampion në Ligue 1. Kartoni i holandezit arrin 28 milionë eurot, por do të jetë një operacion i komplikuar për faktin se francezët do ta kundërshtojnë largimin e tij për të mos prishur ekuilibrat e skuadrës.
I fundit është emri i Jules Kounde. Francezi prej kohësh është në radarët e Manchester United, por problemi është se Sevilla kërkon 75 milionë euro për ta larguar nga "Sanchez Pizjuan", shifër kjo që momentalisht është në mospërputhje me ofertën e tyre. Por andaluzët janë treguar shumë të matur në lidhje me Jules Kounde sepse përbën një rëndësi të madhe për Julen Lopeteguin dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë reduktim.
Këto alternativa janë shumë interesante dhe të realizueshme, por duhet parë se kush lojtar i plotëson më mirë kushtet e Ole Gunnar Solskjaer në mbrojtjen e "The Red Devilsave".



