Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli për MCN TV, pas ndeshjes ku skuadra e tij u mposht 3-1 nga Skënderbeu.
Martini u shfaq i zhgënjyer me rezultatin, ndërsa tha se gaboi mbrojtja, pasi pjesa tjetër ishte mirë. Sipas tij, Teuta është e dënuar të fitojë çdo ndeshje.
Jam i mërzitur, sepse gabojmë, pësojmë gola të panevojshëm. Ishin raste ku nuk kishte nevojë të bënim ato gabime. Rritëm ritmin në pjesën e dytë, me një lojtar më shumë. Kishim raste, por e pësuam me golin e tretë, që erdhi për shkak të një gabimi të mbrojtësve. Ka keqardhje sepse në këtë moment na duhen pikët.
I kisha paralajmëruar qendrat e mbrojtjes, se e pashë që po luanin lehtë. Pjesa tjetër ishte në rregull, pasi po shkonim te porta dhe po krijonim raste. Janë ndeshje që duan ego. Nuk duhet neglizhuar kundërshtari, edhe pse me një lojtar më pak.
Duhet të kemi qetësi, nuk kemi çfarë bëjmë tjetër. Asnjëri nga lojtarët nuk dëshiron t’i bëjë ato gabime. Ndeshjet vijnë shpejt dhe duhet t’i kalojmë të gjithë bashkë. Këta lojtarë na kanë shpëtuar në ndeshje të tjera.
Të pësosh dy gola në harkun e 20 minutave, të bëjnë të dalësh nga shinat. Jemi pragmatistë, pas golit të shënuar. Në çdo ndeshje jemi të dënuar të fitojmë. Deri në janar, duhet të fitojmë çdo ndeshje. Besoj se këta djem kanë kurajon që të bëjnë mirë.



