
Kristjan Asllani, foli në konferencë për mediat, pas grumbullimit të tij me Kombëtaren shqiptare. Në prag të sfidës me Moldavinë, mesfushori deklaroi se kuqezinjtë duhet ta mbajnë topin gjithë kohën, për të pasur më shumë mundësi për shënim, ndërsa shtoi se i pëlqen shumë moduli i ri i trajnerit Silvinjo. Asllani deklaroi se ëndrra e madhe është kualifikimi në Europian dhe ishte besimplotë kur tha se kjo do të realizohet. I pyetur për eksperiencën te Interi, lojtari deklaroi se vjen nga kjo skuadër me mentalitetin e fituesit, të cilin dëshiron ta tregojë edhe te Shqipëria. "Po stërvitemi shumë fort dhe po presim ndeshjen me Moldavinë. Do të bëjmë mirë. Moldavia është një skuadër që do të na presë në fushën e vet. Gjëja kryesore ndaj këtij ekipi është që ta mbajmë ne topin sa më shumë. Kam marrë pak minuta te Interi, por të shohësh lojtarët që luajnë para meje, është një ëndërr vetëm të luash me ta. Kam mësuar shumë dhe kam ardhur këtu me objektivin të marrim tre pikët me Moldavinë. Kam qenë brenda një grupi që donte t’i fitonte të gjitha ndeshjet. Kemi fituar dy kupa. Vij këtu dhe dua të jetë një grup që do të fitojë çdo ndeshje, të mendojmë ndeshje për ndeshje dhe të arrijmë te ëndrra jonë, që është Europiani. Silvinjo përdor një modul që unë e kam shumë qejf. Është një trajner që flet me të gjithë futbollistët. Ka folur me të gjithë. Sapo ka firmosur ka folur me mua dhe kam një raport shumë të mirë me të. Sa ka dalë grupi e kam thënë se kjo Kombëtare mund të arrijë shumë larg. Jemi një grup shumë i mirë, shumë lojtarë të fortë. Të kalojmë grupin dhe të shkojmë në Europian, kjo është ëndrra jonë. Siç e thashë më parë, për mua ky grup është shumë i mirë. Jemi disa lojtarë të rinj, disa me eksperiencë. Unë shpresoj të arrijmë tek objektivi ynë dhe për mua do t’ia dalim. Silvinjo ka ardhur këtu dhe po luajmë me 4 mbrapa. Kemi luajtur disa herë me pesë. Ndaj Polonisë kemi luajtur më mbrapa, e tillë ishte ndeshja. Me Moldavinë për mua duhet ta mbajmë topin gjithë ndeshjen. Sa më shumë e mban topin, ke më shumë shanse të shënosh gol.", u shpreh Asllani.



