Gazetari i sportit, Ervin Baku, duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, komentoi ngjarjet aspak të hijshme të tifozëve në sfidën mes Tiranës dhe Vllaznisë. Baku u shpreh se në ndeshje të mëdha, stadiumi “Air Albania”, kthehet në një arenë dhune për tifozët.
Sipas tij, për këtë nuk duhet të ketë dënime kolektive për tifozeritë e dy skuadrave, por të identifikohen autorët dhe ndaj tyre të ketë dënime, siç ndodh jashtë, kur tifozëve problematikë iu ndalohet hyrja në stadiume.
“U rikthye kampionati dhe ky është një lajm i mirë. Vllaznia dominoi totalisht ndaj Tiranës dhe mund të themi se shkodranët lanë 2 pikë në kryeqytet. Ai që fërkon duart është Kukësi, që luan të mërkurën me Dinamon dhe mund të ngushtojë diferencën me Tiranën. Pamë një Vllazni shumë të fortë, që e vendosi në shumë vështirësi Tiranën.
Kur janë ndeshje të rëndësishme, Air Albania fatkeqësisht është kthyer në një arenë dhune, me shkulje stolash. Kishte episode të shëmtuara në fund të pjesës së parë, kur një tifoz i Tiranës sulmoi tifozët kundërshtarë nga lart me fiksen e zjarrit. Këto nuk kanë vend në shkallët e stadiumit, apo edhe ajo e tifozëve shkodranë që shkulën stola. Duhet t’i jepen fund këtyre episodeve dhe të mos ketë dënime kolektive për të dy tifozeritë, që janë të mrekullueshme. Air Albania është me kamera dhe mund të identifikohen autorët e këtyre akteve dhe të bëhet siç e ka bërë bota, që ai tifoz nuk ka më vend në stadium dhe ditën e ndeshjes të paraqitet në komisariatin e policisë.
Këtu ka edhe rrethim, në Angli i kanë hequr dhe nuk ia mban askujt të futet në fushë, sepse e di që do të privohet nga dashuria e tij futbolli. Nuk jam për dënime të përjetshme. Ka dënime 3 apo 5 vjeçare. Këto dëmtojnë imazhin e futbollit. Për më tepër që ne presim një finale europiane. Është e kollajshme që të identifikohet autori.
Te Partizani, trajneri i ri mori disa lojtarë. Kam përshtypjen që lojtarët u çliruan. Ishte krijuar një ngërç mes trajnerit Daja dhe lojtarvëe. Për mendimin tim, Daja është trajneri më i mirë në Shqipëri, por ka edhe momente jo. Për mendimin tim, Partizani nuk i diskuton kupat e Europës.”, deklaroi Baku.



