
Federata Shqiptare e Futbollit u ka tërhequr vëmendjen klubeve të Kategorisë së Parë në lidhje me terrenin e fushave ku janë zhvilluar ndeshjet e javës së fundit, pasi kanë qenë të rënduara. FSHF thotë se kjo situatë ka ardhur edhe për shkak se disa klube janë stërvitur në stadiumit ku edhe zhvillojnë ndeshjet. Sipas institucionit të futbollit në vendin tonë në rast se konstatohet sërish kjo shkelje atehere do të merren masa.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare të Futbollit paralajmëron klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë në lidhje me terrenin e fushës në stadiumet ku ato zhvillojnë garën.
Nisur nga problematika e shfaqur në disa fusha javën e fundit të kampionatit, ku terreni u shfaq në gjendje të rënduar, Federata ka reaguar menjëherë dhe u ka kërkuar klubeve që të marrin masa për të ruajtur dhe mirëmbajtur fushat e stadiumeve ku zhvillohen ndeshjet zyrtare.
Pas konstatimit në terren situata në disa nga fushat e stadiumeve nuk garanton standardet e zhvilluara për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit.
Siç dihet një nga elementët kyç në procesin e licencimit të FSHF për pjesëmarrjen në garat futbollistike është edhe kriteri i infrastrukturës.
FSHF përmes një qarkoreje ka njoftuar të gjitha skuadrat që është e ndaluar të stërviten në fushën e stadiumit, ku edhe zhvillojnë ndeshjen, gjë që ka sjellë më pas rëndim të terrenit.
Federata do të vijojë me inspektimet gjatë muajit janar 2021 dhe në rast se konstatohet ndonjë klub që shkel këtë rregull, do të ketë sanksione nga Komisioni i Disiplinës së FSHF, deri në pikën që skuadrat nuk do të lejohen të luajnë më në atë terren.



