
Duke ditur që Sergio Busquets i mbeten edhe pak vite në futbollin e luajtur , Barcelona po kërkon opsione për ta zëvëndësuar ashtu siç duhet emblemën e mesfushës.
Një ndër të preferuarit e Xavi Hernandezit është Martin Zubimendi i cili militon në rradhët e Real Sociedadit .
Me kalimin e kohës , 23 vjeçari ka shënuar rritje në performancat me bardheblutë dhe mund të përfundojë duke luajtur në ‘’ Camp Nou ‘’ në të ardhmen .
Vlera në merkato sipas portalit ‘ Transfermarkt ‘ arrin 30 milionë eurot por kontrata me spanjollët mbetet e vlefshme deri në qershorin e 2025-sës dhe faktikisht drejtuesit nga San Sebastian nuk e konsiderojnë të nevojshëm largimin e Martin Zubimendit nga ‘’ Real Arena ‘’.
Përpara disa javësh Real Sociedadi bëri një shitje të bujshme , pikërisht sulmuesin Alexander Isak tek Newcastle United por gjithsesi në lidhje me rastin konkret shifra e përcaktuar varion nga 40-50 milionë euro për talentin spanjoll.
Momentalisht Real Sociedadi konsiderohet një ndër ekipet surprizë të La Ligas dhe e ka filluar mbarë Europa Leaguen duke befasuar në ‘’ Old Trafford ‘’ Manchester United me rezultatin 0-1 , fakt që i shërben drejtuesve për të kuptuar se kanë një ekip shumë kompetitiv dhe prishja e ekuilibrave do të konsiderohej një disfatë për këtë skuadër .



