
Skuadra kosovare e Llapit, u mposht në ndeshjen e parë në Malin e Zi, ndaj Budućnost Podgorica, me rezultatin 2-0. Gjatë ndeshjes, nuk munguan as koret apo edhe një banderolë e tifozëve vendas, kundër simboleve dhe kombit shqiptar.
Për këtë arsye, në ndeshjen e kthimit, klubi i Llapit, ka vendosur çmime simbolike për biletat, në mënyrë që stadiumi “Fadil Vokrri” të jetë i mbushur në kapacitet të plotë.
Njoftimi i klubit të Llapit:
Kryesia e klubit në krye me Presidentin z. Beqir Batatina merr vendim që në ndeshjen kthyese më 14 korrik në Stadiumi “Fadil Vokrri”, KF Llapi-FK Budućnost Podgorica, të ketë bileta me çmime solide vetëm që stadiumi të jetë i stërmbushur ndaj atyre që treguan urrejtje jo vetëm ndaj nesh por ndaj gjithë kombit shqiptar në ndeshjen e parë të zhvilluar mbrëmë në Podgoricë.
Çmimet e biletave do jenë si në vijim:
Sektori Veri - Çmimi i biletës: 1 Euro
Sektori Lindje - Çmimi i biletës: 2 Euro
Sektori Perëndim - Çmimi i biletës: 3 Euro
Sektori VIP - Çmimi i biletës: 5 Euro
Bileta do ketë mjaftueshëm në pikat kryesore në qytetin e Podujevës, në shesh të qytetit tonë dhe sheshet e Prishtinës, afër Stadiumit “Fadil Vokrri” dhe çdo vend ku ka kërkesa nga tifozët tanë dhe gjithë tifozët e kombit shqiptar.
Postimi i trajnerit Tahir Batatina:
Përshëndetje të dashur adhurues të K.F. Llapi, ju dashamirë të futbollit, ULTRAS LEGJENDA dhe të gjitha tifogrupe tona simpatizuese në shqiptari
Mua si trajner mu ka dhimbsur shumë humbja, por edhe humbja është pjesë e sportit dhe futbollit, ne nuk e kishim ditën tonë si skuadër por ajo çka më bëri që mos të ndihem mirë është urrejtja që tifozët e ekipit kundërshtar e shfaqën ndaj kombit shqiptar, por iu bëj thirrje publike, i madh i vogël, ke pare apo nuk ke, nuk ka shumë rëndësi sepse nëse është nevoja kryesia e klubit edhe ato shpenzime i merr mbi supe por dua vetëm të bashkohemi i madh e i vogël çdo njëri që ka ndjenja shqiptari të jemi në tribuna dhe t'iu tregojmë tërë botës se ne jemi shtet i qytetëruar, ta mbështesim skuadrën e K.F. Llapi që në këto momente është skuadra e çdo shqiptari.
Jam i bindur se me mbështetjen tuaj në Stadiumin “Fadil Vokrri” do ta përmbysim rezultatin dhe do të kualifikohemi më tutje dhe do t'iu tregojmë atyre që na urrejnë se ne jemi vendi i futbollit dhe shteti i demokracisë dhe jo urrejtjes.
Më datë 14 korrik, ora 20:00, të gjithë i ftoj të gjithë mërgimtarët të jenë të pranishëm në stadium sepse biletat do të jenë vetëm për mbulimin e shpenzimeve ditore të personelit dhe asgjë më shumë, do të ketë bileta të mjaftueshme në hyrje të stadiumit por edhe një ditë më herët do të organizohet gjithë personeli i klubit që të gjithëve t'ua mundësojmë të jeni në ndeshje.
Kjo ndeshje i tejkalon të gjitha ndeshjet tjera sepse kërkon mbështetje mbarë kombëtare.
Prezenca juaj tregon fuqinë e kombit tonë që të gjithë ta dinë se jemi të bashkuar si klub, si tifozeri dhe si komb.
Një kafe, një biletë, asgjë më shumë, vetëm t'iu tregojmë se jemi të bashkuar si komb.



