
Sulmuesi Mauro Icardi nuk është duke përjetuar momentin e tij më të mirë tek Paris St Germain. Zërat e shumtë që vazhdojnë të qarkullojnë në kampin e kryeqytetasve lidhen direkt me dy yjet e futbollit botëror si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo që janë përfshirë fuqishëm në fokusin e presidencës për të ardhmen. Një tentativë e tillë nënkupton shitjen e elementëve kryesorë të skemave të Mauricio Pochettinos duke i hapur rrugën revolucionit të së ardhmes tek kampionët e Francës.
Duke iu referuar kësaj situate tashmë llogaritë e shumta të Parisit i vënë gishtin pikërisht argjentinasit rendimenti i të cilit për hir të së vërtetës ka lënë për të dëshiruar në sezonin aktual sepse Di Maria, Mbappe, Moise Kean dhe braziliani Neymar nuk kanë të ndalur në paraqitjet e mrekullueshme në fushën e blertë duke i vjedhur automatikisht protagonizmin. Besimi i numrit një të pankines nuk është shpërblyer në mënyrën e duhur duke lënë në evidencë nxjerrjen e 28 vjeçarit në merkato për të rregulluar disi funksionimin të skuadrës dhe kështu ti hapin rrugën përmbushjes së objektivave të së ardhmes.
Aktivizimi i ishit të Interit në dy ndeshjet kundër Barcelonës në fazën e 1/8 tave në Champions League i kanë dhënë për të kuptuar Parisit se diçka nuk shkon me golashënuesin e mirënjohur dhe rruga më e denjë do të ishte nxjerrja në merkato të sulmuesit të lindur në Rosario. Kësaj historie zhgënjyese i bashkangjiten edhe statistikat e vakëta të arritura nga Mauro Icardi gjatë këtij sezoni sepse ka shënuar vetëm 6 herë në 16 takime, elementi absolutisht i pamjaftuëshem duke marrë parasysh kërkesën e jashtëzakonshme të llogarisë që ekziston tek Parisi.
Megjithatë për lojtarë të një kalibri të tillë gjithmonë shfaqet një dritë në fund të tunelit, dhe në rastin konkret sipas të famshmes italiane ‘’ La Repubblicca “ Roma , Milani dhe Juventusi kanë përveshur mëngët për ta bërë pjesë të tyre gjatë merkatos verore. Nëse i referohemi kuqezinjve drejtori sportiv dhe njëkohësisht legjenda e tyre Paolo Maldini ka shprehur dëshirën e transferimit të tij në ‘’ San Siro ‘’ dhe një konkretizim i operacionit në fjalë do të ishte një sukses më vete për përfaqësimin sa me dinjitoz në Uefa Champions League gjatë sezonit të ardhshëm ndërsa e ashtuquajtura ‘’ Zonja e Vjetër “ e vlerëson shumë kontributin e nxënësit të Mauricio Pochettinos dhe e konsideron si një garanci për të ardhmen sepse ashtu siç dihet së fundmi në Torino është përjetuar një skepticizëm shumë i madh sepse Dybala, Cristiano Ronaldo dhe Morata nuk e kanë të sigurtë qëndrimin tek 36 herë kampionët e Italisë.
Gjithçka pritet të marrë përgjigjen finale në merkaton verore e cila gjithmonë ka rezultuar mjaft interesante dhe me të papritura . Një ndërrim ambjenti për Mauro Icardin parashikohet se do të jetë zgjidhja perfekte për tu rikthyer në kohët e arta .



