Në studion e MCN Informacion, Kledian Brahja dhe Denys Hrytsyna nga Shoqata Speleologjike Shqiptare, rrëfyen zbulimin e një shpelle në Prekal. Ata thanë se po përpiqen të mbledhin rreth vetes të pasionuar pas eksplorimit të shpellave.
Kledian Brahja
Ka qenë eksplorimi i dytë në atë shpellë. Gjetëm hapësirë të re, shumë të madhe, me formacione natyrore, stalaktite, stalagmite. Ishte surprizuese edhe për ne. Shpella është shumë e njohur nga banorët e zonës. Por që kishte vazhdimësi nënujore nuk e dinte askush. Ne do të vazhdojmë ta eksplorojmë më tej.
Të veçantë këtë shpellë e bën galeria e madhe nënujore. Janë hapësira të mëdha boshe me formacione natyrore. Ky mendoj se do të jetë një zbulim i rëndësishëm, pasi në shpellë kemi konstatuar një specie për të cilën presim përgjigjen e ekspertëve.
Ky në Prekal është eksplorimi ynë i dytë. Ne po krijojmë grupin e parë të eksploruesve të shpellave nënujore.
Denys Hrytsyna
Shqipëria ka disa shpella. Në Leskovik ka shpella me ujë të ngrohtë. Shqipëria ka shumë shpella të paeksploruara, jo vetëm të thata por edhe nënujore.
Shqipëria ka potencial për turizëm speleologjik. Por para kësaj duhet garantuar nëse terreni është i sigurt apo jo. Por nga ana tjetër, turistët duhet të kenë përvojë në zbritjen në shpella.



