
Ndeshja e basketbollit për femra mes Partizanit dhe Tiranës, është kthyer në një arenë boksi në fund të takimit.
Pas përfundimit, ku skuadra e kuqe fitoi 86-83, ka shpërthyer një përplasje fizike mes dy lojtareve. Siç shihet nga pamjet lojtaret e të dyja skuadrave janë zënë me grushte e kanë goditur njëra-tjetrën. Mësohet se sherri ka nisur mes dy lojtareve Antoniette Bannister e Partizanit dhe Ebi Dishnica e Tiranës. Debati mes vajzave nxiti dhe lojtaret e tjera që të bëheshin pjesë e kësaj përleshjeje.
Te Partizani, pretendojnë se gjatë ndeshjes lojtaret e Tiranës kanë bërë fyerje raciste ndaj atyre të Partizanit. Në kulmin e tensionit, bashkëshorti i lojtares së Tiranës, godet amerikanen me shqelm nga pas, duke e agravuar situatën më tepër. Duhej ndërhyrja e stafeve të dy ekipeve, për të ndaluar kaosin e krijuar, që nuk do kalojë pa dënime.



