
Në mbrëmjen e sotme në 21.00 hapet sipari i javës së 16-të të La Ligas me sfidën Getafe Valencia.
‘’ Los Azulones ‘’ dhe bardhezinjtë humbën në javën e kaluar , respektivisht kundër Las Palmasit dhe Gironës në transfertë dhe momentalisht janë shumë afër njëra-tjerës në renditje, me pikë të barabarta.
Parashikohet një sfidë e luftuar për arsye se vinë nga humbja dhe tre pikët konsiderohen jetike për të tentuar afrimin me Europën.
Në mesjavë zotët e shtëpisë hodhën një hap përpara në Kupën e Mbretit pasi mposhtën në raundin e dytë modestët e Atzenetes, histori e njëjtë edhe për Valencian, e cila e fitoi kundër Arosas.
Të shtunën do të luhen katër sfida.
Në 14.00 në zbresin në fushën e ‘’ Mendizorrozas ‘’ Alaves dhe Las Palmas. ‘’ Los Babazorros ‘’ vinë nga barazimi ndaj Mallorcas , ndërsa ishtullorët bënë detyrën duke e fituar ndeshjen kundër Getafes përballë tifozerisë së tyre.
Nxënësit e Luis Garcia Plazas për momentin renditen në vendin e 13-të me 16 pikë të grumbulluara , ndërsa Las Palmas është pesë pikë larg Europës, momentalisht i 8-ti.
Në 16.15 luhet një ndër sfidat më të rëndësishme në ‘’ Benito Villamarin ‘’, aty ku Real Betisi pret Real Madridin.
Madrilenët po shijojnë një moment shumë të mirë , si në La Liga ashtu edhe në Champions League , por i mbetet akoma punë përpara , pasi vijojnë të ndiqen nga Girona, me pikë të barabarta.
Fitorja konsiderohet prioritet për nxënësit e Carlo Ancelottit, të cilët vijojnë të tregojnë se janë pretendentë seriozë për titullin, sukses jo vetëm i arrirë në kampionat por edhe në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, në të cilin kryesojnë në grupin C me pikë të plota dhe i mbetet edhe ndeshja e fundit për të luajtur në fushën e Union Berlinit.
Në javën e kaluar , ‘’ Galaktikët ‘’ mposhtën pa problem Granadën në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’, ndërsa Real Betisi barazoi në fushën e Almerias dhe para dy ditësh kaloi turin e dytë në Kupën e Mbretit me fitoren kundër Villanovenses.
Duhet kujtuar se gjashtë sfidat e fundit flasin për ‘’ Los Blancos ‘’ pasi kanë fituar tre prej tyre dhe tre të tjerat kanë përfunduar në barazim.
Ndërsa Real Betisi në lidhje me Europën vijon të ketë një ecuri shumë të mirë, pasi kryeson në grupin C të Europa Leagues dhe do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Rangersit, por duhet theksuar se mbetet gjithçka e hapur dhe i duhet patjetër një fitore për tu kualifikuar.
Në 18.30 Villareali pret në ‘’ La Ceramica ‘’ Real Sociedadin.
Para dy ditësh ‘’ Nëndetësja e Verdhë ‘’ preu biletën për më tej në Conference League dhe ndeshjen fundit kundër Rennais do ta zhvillojë për statistikë, ndërsa në La Liga u ndal në ‘’ Sanchez Pizjuan ‘’ në një barazim kundër Sevillas , rezultat i njëjtë për bardheblutë në Pamplona, të cilët më pas kaluan turin e dytë në Kupën e Mbretit me fitoren kundër Andratx.
Skuadra e Imanol Alguacil e ka treguar veten edhe në Champions League, kompeticion në të cilin ende nuk njeh humbje dhe do ta finalizojë fazën e grupeve në ‘’ Giusseppe Meazza ‘’ kundër Interit.
Momentalisht ekipi nga San Sebastian ruan me meritë vendin e parë edhe pse sfidën ndaj zikaltërve do ta luajë për statistikë.
E shtuna përfundon me Mallorca Sevilla .
Për ishullorët situata vijon shumë e ndërlikuar pasi janë shumë afër zonës së ftohtë , të cilët vinë pas barazimit në shtëpi kundër Alaves dhe më pas hodhën me sukses hapin për më tej në Kupën e Mbretit me fitoren kundër Valle de Egues.
Për andaluzët deri më tani sezoni mund të konsiderohet për tu harruar, të cilët barazuan në ‘’ Sanchez Pizjuan ‘’ kundër Villarealit dhe e fituan ndeshjen e raundit të dytë të Kupës së Mbretit kundër Atletico Astorgas.
Me uruguajanin Diego Alonso, ‘’ Los Rojiblancos ‘’ janë shumë larg të qënit një skuadër kompetitive ashtu si në të kaluarën, e cila triumfoi edhe në Europa League .
E diela starton në orën 14.00 në ‘’ Wanda Metropolitano ‘’ , aty ku Atletico Madridi pret Almerian e vendit të fundit.
Pas humbjes në ‘’ Camp Nou ‘’, kryeqytetasit do të tentojnë ta rikthejnë historinë në favor, duke qenë do të kenë përballë një rival tejet të dobët.
Deri më tani miqtë nuk e kanë provuar shijen e fitores në La Liga dhe numërojnë katër barazime dhe 11 humbje.
Ekipi i Gaizka Garitanos fatkeqësisht i dha lamtumirën edhe Kupës së Mbretit pas humbjes me Barbastron ndërsa ‘’ Los Colchoneros ‘’ vijojnë të renditen ndër katër vendet e para , të cilët edhe në Champions League kanë treguar se mbeten një kockë e fortë dhe ndeshjen e fundit kundër Lazios do ta zhvillojnë për statistikë.
Në 18.30 Granada e vendit të parafundit pret Athletic Bilbaon me objektivin e daljes nga gropa ku ka rënë.
Andaluzët nuk po munden ta ngrejnë kokën, të cilët nuk mundën të bëjnë asgjë kundër Real Madridit në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ në javën e kaluar , ndërsa vaskët demostruan se mbeten kandidatë potencialë për Europën në sezonin vijues, të cilët i dhanë një leksion Rayo Vallecanos duke e mposhtur 4-0 në ‘’ San Mames ‘’.
Edhe në Kupën e Mbretit nxënësit e Ernesto Valverdes fituan 0-3 kundër Cayos dhe do të kërkojnë të vijojnë të njëjtën rrugë, edhe pse mbeten ende shumë sfida për tu luajtur.
Në 18.30 , Cadiz pret Osasunan me objektivin e shkëputjes paksa nga vendet e fundit në renditje.
Në ndeshjen e fundit , andaluzët nuk shkuan dot më tepër se një barazim kundër Celta Vigos dhe më pas u eleminuan nga Kupa e Mbretit nga Arandina, ndërsa Osasuna ndali në ‘’ El Sadar ‘’ një rival të fortë si Real Sociedadi.
Diferenca midis tyre është vetëm tre pikë por situata në tabelë vijon e ndërlikuar dhe fitorja mbetet një prioritet për secilën prej tyre.
E diela përfundon në 21.00 me supersfidën ndërmjet Barcelonës dhe Gironas në mitikun ‘’ Camp Nou ‘’.
Skuadra e Miguel Anglel Sanchez Munoz vijon të tregojë se ka shumë mundësi për ta ndryshuar historinë në kampionatin spanjoll, pasi vijon ti bëjë presion Real Madridit, skuadra me pikë të barabarta deri më tani.
Katalanasit janë vetëm katër pikë larg kreut , të cilët moren një tre piksh me shumë vlera kundër Atletico Madridit javën e shkuar, kurse Girona e përmbysi disavantazhin kundër Valencias , dhe më pas vijoi serinë e rezultateve pozitive edhe në Kupën e Mbretit 2-5 ndaj Orihuelas.
Java e 16-të përfundon të hënën në orën 21.00 në ‘’ Las Vallecas ‘’ , ku Rayo Vallecano pret Celta Vigon.
Humbja e thelle në ‘’ San Mames ‘’ u pasua me fitoren në Kupë kundër Yeclano Deportivos , kurse ‘’ Celestët ‘’ nuk shkuan më tepër se një barazim kundër Cadiz në ‘’ Balaidos ‘’ dhe më pas mposhtën Sestao River në Kupë.
Situata për miqtë vijon të ndërlikuar pasi janë të tretët nga fundi , ndërsa Rayo Vallecano vijon të notojë në ujërat e mesit të tabelës.



