
Trajneri Ardi Behari, foli në emisionin “Sport Zone” në MCN TV, për ndeshjen që Shqipëria do të luajë ditën e sotme ndaj Ishujve Faroe. Behari deklaroi se nuk ka arsye pse të ndryshohet formacioni fitues ndaj Moldavisë, ndërsa shtoi se trajneri Sylvinho ka ndryshuar atmosferën në ekip. Gjithashtu ai deklaroi se nuk ka vend në skuadër që të flitet për eufori, teksa theksoi se me Ishujt Faroe, ndeshjen e bën të vështirë fakti që do të luhet në fushë me bar sintetik. “Shqipëria vjen pas një fitoreje të mrekullueshme. Duke parë këtë, mendoj se edhe lojtarët që do të jenë në fushë, do të jenë të njëjtët si ndaj Moldavisë. Ndeshja me Ishujt Faroe do të luhet në një fushë me bar sintetik dhe kjo do e kushtëzojë pak lojën. Shqipëria do të luajë vetëm për fitore. Presim dhe shpresojmë të marrim 3 pikët. Sylvinho vazhdon të bëjë detyrën e tij, për të ulur atë pjesën e besimit të tepruar te skuadra. Kjo është pjesa e punës psikologjike, në të cilën ai ka treguar se është shumë i fortë. Të gjithë lojtarët e dinë çfarë i pret sot. Pritshmëritë janë rritur falë punës së tyre, pas ndeshjes me Poloninë dhe fitores me Moldavinë. Vuajtëm shumë me Moldavinë, deri sa gjetëm golin. Kjo fitore erdhi për shkak të durimit të lojtarëve. Më përpara kalimi i minutave na vinte na presion, por kjo nuk ndodhi në ndeshjen e fundit. Sulmuam gjatë gjithë kohës, deri sa gjetëm golin. Euforia nuk është pjesë që duhet diskutuar. Nuk është karakteristikë e Sylvinhos dhe e kësaj skuadre. Fitorja ndaj Ishujve Faroe, është shumë e rëndësishme. Kemi një atmosferë tjetër, një entuziazëm tjetër. Një skuadër që këmbëngul gjithmonë dhe mbron mirë sipër në mesfushë. Historia e kaluar, nuk mendoj se ka shumë ndikim te kjo skuadër. Nuk ka arsye që formacioni ftues të ndryshojë. Specifikat e skuadrave janë thuajse të njëjta. Në letër janë skuadra më të lehta për tu kaluar. Armët më të forta janë këto që pamë edhe me Moldavinë. Në skuadër, kanë ndryshuar edhe emrat. Kemi Jasir Asanin që zhbllokoi ndeshjen. Ishte këmbëngulja dhe ndjenja e përgjegjësisë së skuadrës, që sollën edhe golin e parë. Në skuadër ka ndryshuar atmosfera, përveç manovrës sulmuese. Kemi ndryshim sistemi, por edhe interpretimi në fushë, kanë ndryshuar. Ka ndryshuar edhe pjesa e marrëdhënieve, lojtarë-staf.”, deklaroi Behari.



